
Teksa në Kuvend kanë plasur debatet mes opozitës dhe mazhorancës për prezencën e kryeministrit Edi Rama pas thirrjes për interpelancë urgjente për çështjen e inceneratorëve, Rama shihet duke shijuar xhiron me JEEP në krah të zv kryeministres Belinda Balluku.
Rama ka inspektuar sot punimet në akset e reja Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi. I shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Rama ka parë nga afër rrugët e hapura përkohësisht, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, në këtë periudhë fluksesh të larta të lëvizjes së automjeteve.
Në një postim në rrjete sociale, kryeministri deklaron se në qershorin e 2024-ës kjo pjesë shumë e rëndësishme e gjerdanit të ri infrastrukturor të bregut Jonian do të jetë e përfunduar.
"Në akset e reja Orikum - Dukat dhe Palasë - Dhërmi, ende në punë e sipër po të hapura përkohësisht, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve, në këtë periudhë fluksesh të larta të lëvizjes së automjeteve.
Në qershorin e 2024-ës kjo pjesë shumë e rëndësishme e gjerdanit të ri infrastrukturor të bregut Jonian do të jetë e përfunduar, ndërkohë që po punohet me projektin për rrugën e re turistike që nga Dhërmiu në Himarë dhe Sarandë, përmbi kreshtat e kodrave, e cila do të jetë një alternativë çliruese për zhvillimin e infrastrukturës hoteliere dhe çlirimin e trafikut në bregdetin jugor të Shqipërisë 2030, kampione e Ballkanit në Turizëm.", shkruan Rama.
Kujtojmë se ditën e sotme seanca nisi me debate pasi maxhoranca futi në rend dite projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe ndryshimi i rendit të ditës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla solli revoltën e opozitës, e cila tha se nuk ishin të mjaftueshme votat.
Opozita ka kundërshtuar diskutimet, ndërsa kërkonte vazhdimisht interpelancë me Ramën për inceneratorët. Sipas Nikollës, rendi i ditës u ndryshua me 69 vota pro, gjë që u kundërshtua nga deputetët e opozitës duke thënë se nuk kishte kuorum, e se kishte më pak deputetë të pranishëm në sallë.
“Ishin më shumë se 54 deputetë”, tha Nikolla gjatë seancës.
Deputetët e PD insistuan për interpelancën me kryeministrin Rama, i cili mungon në seancë. Maxhoranca ka hedhur poshtë kërkesën e deputetëve të opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e inceneratorëve. Debatet e forta mes opozitës e maxhorancës kanë sjellë ndërprerjen e seancës plenare, e fundit për këtë sesion parlamentar.
Ndërkohë jashtë parlamentit studentët prisnin të hynin në seancë për të folur për projektligjin për Mjekësinë dhe kjo çështje është bërë sërish temë debati dhe deputetët e opozitës kanë rrethuar foltoren. Kjo ka sjellë dhe ndërprerjen e seancën nga nënkryetarja e parlamentit Ermonela Felaj.
Lini një Përgjigje