“Akti për demokracinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor” është dokumenti i Kongresit amerikan, përmes të cilit jepen udhëzime të qarta dhe të plota, lidhur me qëndrimin e SHBA në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova.
Dokumenti shihet si një përpjekje për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe luftës kundër korrupsionit, duke synuar stabilitet afatgjatë dhe demokracinë më funksionale në rajon.
Dokumenti i Kongresit vë theksin në luftën ndaj korrupsionit, që konsiderohet një element kyç për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të rajonit. Ai gjithashtu adreson çështje të tjera strategjike, përfshirë diversifikimin e energjisë, sigurinë kibernetike, edukimin dhe zhvillimin e lidershipit të ri të Ballkanit.
Në dokument gjithashtu theksohet bashkëpunimi i ngushtë me institucionet europiane dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë.
Kongresi thekson nevojën e vijimit të politikave të sanksioneve ndaj individëve, që minojnë demokracinë.
“Iniciativa kundër korrupsionit”
Kongresi kërkon krijimin e programeve kombëtare anti-korrupsion në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Iniciativat përfshijnë mbështetje teknike për institucionet gjyqësore dhe trupat e zbatimit të ligjit, si dhe trajnime për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës. Gjithashtu synohet forcimi i strategjive ekzistuese për të luftuar korrupsionin politik dhe administrativ, duke përfshirë mbikëqyrjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturën kibernetike. Media e pavarur konsiderohet një partner i rëndësishëm në zbardhjen e korrupsionit, dhe për këtë arsye Kongresi nxit trajnimin e gazetarëve investigativë. “Korrupsioni, përfshirë atë mes liderëve kryesorë politikë, vazhdon të pllakosë Ballkanin Perëndimor dhe përfaqëson një nga pengesat më të mëdha për zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe politik në rajon”, thuhet në dokument, ku theksohet se korrupsioni përhapet veçanërisht në mjedise autokratike ose konfliktuale.
Raporti nënvizon gjithashtu se dezinformimi minon besueshmërinë e institucioneve dhe integritetin e proceseve zgjedhore. Cënueshmëria e teknologjisë së informacionit rrit rreziqet e sigurisë, ndaj sigurimi i rrjeteve kibernetike konsiderohet nga Kongresi amerikan prioritet i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
“Promovimi i tregtisë së lirë”
Kongresi nënvizon rëndësinë e promovimit të tregtisë dhe investimeve të SHBA-së në rajon, mbështetjen e integrimit rajonal dhe forcimin e ekonomive të bazuara në treg të lirë. Këtu përfshihen masat për të mbështetur barazinë gjinore, pjesëmarrjen e të rinjve dhe zhvillimin e qeverisjes së mirë. Po ashtu, SHBA-ja synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të plotësojnë kriteret për antarësim në Bashkimin Europian dhe NATO.
“Sanksione të reja të mundshme për individë që minojnë demokracinë”
Dokumenti i Kongresit njofton vijimin e sanksioneve kundër individëve dhe entiteteve që kërcënojnë stabilitetin në rajon. Presidenti i SHBA-ve ka autoritetin për të vendosur, pezulluar apo përjashtuar sanksione ndaj individëve ose entiteteve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu mund të vendosë për përjashtime për arsye humanitare, për zbatimin e ligjit, sipas rregullave të përcaktuara.
“Zhvillim ekonomik dhe prosperiteti”
Raporti promovon një strategji 5-vjeçare për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimet demokratike në rajon. Kjo përfshin mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastrukturën rajonale, energjinë të pastër, bujqësinë, shëndetësinë dhe fushën kibernetike. Projekti nxit gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetjen e grave dhe të rinjve në biznes.
“Bashkëpunimi kulturor dhe edukativ”
Kongresi inkurajon partneritete ndër-universitare midis SHBA-ve dhe universiteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë programe trajnimi, shkëmbime akademike dhe zhvillimin e aftësive për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara. Ky seksion synon gjithashtu të përmirësojë edukimin dhe të forcojë lidhjet kulturore ndërmjet rajonit dhe SHBA-së.
“Nxitje të projekteve të reja në Ballkanin Perëndimor”
Kjo iniciativë synon të zgjerojë praninë e Korpusit të Paqes në Ballkanin Perëndimor, duke ofruar ndihmë për zhvillim njerëzor dhe lidhje më të ngushta midis popullsive të rajonit dhe SHBA-së. Raporti do të përfshijë një analizë të mundësive për zgjerim dhe vendosje të projekteve të reja.
“Iniciativa për të rinjtë në Ballkan”
Programi “Young Balkan Leaders Initiative” synon të zhvillojë kapacitetet e të rinjve në fushat e biznesit, teknologjisë, administratës publike dhe të drejtave civile. Programi përfshin trajnime, bursa studimi, rrjete profesionale dhe qendra lidershipi për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të parandaluar ndikimet e huaja keqdashëse. Departamenti i Shtetit, përmes "Bold", një program lidershipi për udhëheqësit e rinj në disa vende të Ballkanit Perëndimor, luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e udhëheqësve të rinj në përmirësimin e angazhimit qytetar dhe zhvillimit ekonomik në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi. "Bold" duhet të zgjerohet, në varësi të disponueshmërisë së fondeve, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas dokumentit të Kongresit, Sekretari i Shtetit duhet të zhvillojë dhe zbatojë më tej BOLD, i cili më poshtë do të njihet si "Iniciativa e Liderëve të Rinj të Ballkanit", për të promovuar zhvillimin arsimor dhe profesional për udhëheqësit dhe profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor të cilët kanë demonstruar një pasion për të kontribuar në zhvillimin e vazhdueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Siguria kibernetike”
Dokumenti thekson rëndësinë e mbështetjes amerikane për sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën ICT në rajon. Sipas Kongresit, duhet të mbrohen vendet e Ballkanit nga sulmet kibernetike dhe disinformacioni, të forcohen kapacitetet e qeverive dhe të promovohet siguria digjitale si element kyç i stabilitetit dhe integrimit demokratik.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”
Kongresi mbështet progresin në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke inkurajuar dialogun strategjik dhe investimet e përbashkëta. SHBA-ja nuk mbështet ndryshime kufijsh dhe synon të promovojë demokracinë pluraliste dhe stabilitetin rajonal.
“Raportimi mbi ndikimet malinje të Rusisë dhe Kinës”
SHBA-ja do të monitorojë ndikimet politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në rajon, duke identifikuar aktivitetet që minojnë institucionet demokratike dhe sigurinë rajonale. Raportet do të përfshijnë analiza mbi taktikën, efektivitetin dhe mjetet për të neutralizuar ndikimet malinje.
Lini një Përgjigje