SHBA deklaroi qartë se nuk do të ndjekë dhe nuk do të mbështesë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje apo rivizatime kufijsh mbi baza etnike në Kosovë...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë artikuluar një qëndrim të qartë dhe të prerë mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë përmes Aktit të Demokracisë për Ballkanin Perëndimor, duke e vendosur dialogun mes dy vendeve brenda një kornize politike që përjashton kategorikisht çdo formë ndarjeje territoriale apo rivizatimi kufijsh mbi baza etnike.
Kongresi amerikan theksoi se Marrëveshja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e miratuar nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte një hap pozitiv që mbështetet edhe nga Uashingtoni.
“(1) Marrëveshja mbi Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u miratua nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, është një hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve;”, thuhej ndër të tjera në Nenin 11 të Aktit të Demokracisë për Ballkanin Perëndimor.
Një nga mesazhet më të forta politike të aktit lidhet me qëndrimin amerikan ndaj ideve për ndarje territoriale. SHBA deklaroi qartë se nuk do të ndjekë dhe nuk do të mbështesë asnjë politikë që promovon shkëmbime territoresh, ndarje apo rivizatime kufijsh mbi baza etnike në Kosovë.
“(1) nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon; dhe
(2) duhet të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor si një mjet për të parandaluar kthimin e konfliktit etnik që dikur karakterizonte rajonin”, thuhej më tej në Nenin 11 të Aktit të Demokracisë për Ballkanin Perëndimor.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni riafirmon se mbështetja për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke, duke e konsideruar këtë si themelin e paqes afatgjatë.
SHBA më tej u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit të marrëveshes së iniciuar nga BE-ja, veprim ky që automatikisht do të nxiste angazhimin amerikan në fazën e ardhshme.
Me këtë akt, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që përcaktojnë vijat e kuqe politike për Kosovën, por sinjalizojnë edhe një angazhim afatgjatë dhe më të strukturuar në Ballkanin Perëndimor, ku stabiliteti, demokracia dhe njohja reciproke mbeten kushtet kyçe./Pamfleti
Lini një Përgjigje