TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Dhjetor 2025, 09:51

NATO ose “bretkosa që zien ngadalë”

Shkruar nga Richard Holmes
NATO ose “bretkosa që zien ngadalë”
Nato /

Një zyrtar i lartë i aleancës e pranon i shqetësuar se, pavarësisht urgjencës që dikton situata në 4 vitet e fundit, për momentin perëndimorët gjenden ende në situatën e rrezikshme të “bretkosës që po zien ngadalë”. Pra, pavarësisht se Putini e ka shprehur hapur se synon shkatërrimin e aleancës, ne po mësohemi me nivelin e lartë të dhunës nga Moska, pa e kuptuar se situata po shkon drejt pikës së vlimit...

NATO po përgatitet për një përballje të gjatë dhe armiqësore që pritet të zgjasë me breza, e nxitur nga një “qëllim shtetëror” rus për të zgjeruar dominimin ushtarak mbi vendet evropiane në një të ardhme të afërt. Ky paralajmërim vjen nga Xhejms Apaturai, zyrtari i lartë i Aleancës, i cili aktualisht udhëheq misionet kritike për zhvillimin e teknologjive mbrojtëse kundër luftës hibride.

Apaturai paralajmëron se agresioni rus në fazën që ai e quan “para-luftë”, po rritet në mënyrë alarmante. “Numri i atentateve dhe tentativave për vrasje është rritur ndjeshëm. Aktet e sabotimit po e dëmtojnë infrastrukturën tonë kritike, që nga tubacionet nënujore e deri te kabllot e komunikimit. Ne gjendemi në situatën e rrezikshme të ‘bretkosës që po zihet ngadalë’. Po mësohemi me këtë nivel dhune pa e kuptuar se situata po shkon drejt pikës së vlimit”, thekson ai.

Mesazhi i tij për Britaninë e Madhe dhe të gjithë kontinentin është i prerë: përballë kemi një Rusi që ka kaluar në ekonomi lufte dhe që është e vendosur të zgjerohet. “Rruga e vetme për të shmangur një sulm rus është forca. Duhet të bëhemi aq të fortë, saqë Moska të mos guxojë as ta mendojë agresionin. Ky është thelbi i mbrojtjes sonë”.

I pyetur nëse një marrëveshje paqeje në Ukrainë do t’i ulte tensionet, ai solli në vëmendje një takim ballë për ballë me Vladimir Putinin në Kremlin, në vitin 2009. Apaturai kujton se, ndërsa ishte ulur në njërën anë të tryezës së famshme të gjatë në Kremlin, presidenti rus e hapi bisedën duke i thënë atij dhe Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe, Anders Fog Rasmusen: “Unë dua që NATO të zhduket!”.

Duke u përpjekur të ruante qetësinë, Rasmusen iu kundërpërgjigj: “Më vjen keq ta dëgjoj këtë, sepse unë kam ndërmend ta bëj NATO-n edhe më të fortë!”. Duke reflektuar mbi këtë takim, Apaturai thekson se Putini nuk ishte i kujdesshëm me fjalët atëherë dhe nuk është as sot: objektivat e tij mbeten po aq brutale dhe të qarta.

Një konflikt që kapërcen dekadat

Këto komente vijnë pas një sërë deklaratash tronditëse nga krerët e inteligjencës britanike mbi perspektivën e një lufte të përgjithshme midis Rusisë dhe Evropës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, paralajmëroi së fundmi se “konflikti është te pragu ynë”, duke u kërkuar udhëheqësve evropianë të përgatiten për një shkallë lufte që nuk është parë që nga koha e gjyshërve tanë.

Këtë alarm e përforcoi edhe kreu i ri i MI6 britanike, Blez Metreveli, duke deklaruar se “vija e frontit është tashmë kudo”. Sipas raporteve të fundit të Europol-it për vitin 2025, sulmet kibernetike dhe operacionet klandestine për destabilizimin e Evropës, të nisura nga Rusia dhe satelitët e saj, kanë pësuar një rritje dramatike.

Vetë Ministria e Mbrojtjes në Londër pohon se aktiviteti armiqësor i inteligjencës ruse kundër departamenteve të saj është rriten me mbi 50 për qind vetëm brenda një viti. Apaturai, që drejton njësinë e inovacionit DIANA, thotë se jemi në një garë teknologjike për jetë a vdekje. Rusia po i përditëson teknologjitë e saj ushtarake në cikle shumë të shpejta, duke detyruar Aleancën të braktisë burokracinë e vjetër dhe të veprojë me një shpejtësi marramendëse.

Sfida e re: Evropa duhet të ecë përpara me këmbët e veta

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë një pasiguri të paprecedentë për garancitë amerikane në NATO. Donald Trump i ka etiketuar vazhdimisht aleatët evropianë si “përfitues të papërgjegjshëm” që shpenzojnë pak për mbrojtjen.

Në këtë pikë, Apaturai bie dakord: “Trump ka të drejtë. Evropa është mjaftueshëm e pasur për të financuar vetë sigurinë e saj. Uashingtoni nuk mund të paguajë më pjesën dërrmuese të faturës sonë. Ne duhet ta kryejmë këtë tranzicion me shpejtësi dhe pa hezitim”. Ky presion i ka shtyrë anëtarët e NATO-s që të zotohen për shpenzime në fushën e mbrojtjes deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Paqja në Ukrainë nuk do të thotë fundi i kërcënimit

Ndërsa po diskutohen plane të ndryshme paqeje për Ukrainën, Apaturai lëshon një paralajmërim tjetër të fortë: fundi i luftimeve në front nuk do të thotë fundi i agresionit të Moskës. “Sapo të ketë më në fund një armëpushim, do të dalin zëra që do të thonë se tani mund të qetësohemi dhe t’i orientojmë paratë diku tjetër. Por kjo është një narrativë shumë e rrezikshme, të cilës duhet t’i kundërvihemi”, thekson ai.

Një Rusi që nuk e harxhon më gjithë energjinë e saj në frontin ukrainas, do të jetë më e lirë të përforcojë sulmet hibride dhe sabotimet kundër vendeve evropiane. Mesazhi i tij përfundimtar është një thirrje për zgjim: “Kur bëhesh i sigurt se duhet të ikësh, është tashmë vonë për t’ia mbathur. Ne nuk duhet ta gjejmë veten në atë pozicion”./Përshtati Pamfleti nga “The Intelligent Paper”

nato bretkosa që zien ngadalë

Lini një Përgjigje