Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të kryepeshkopit Anastas Janullatos, që do të mbahet ditën e sotme në Tiranë.
Qindra besimtarë, klerikë të feve të tjera, politikanë dhe qytetarë, i dhanë lamtumirën kryepeshkopit Janullatos ditën e sotme, në Katedralen Ngjallja e Krishtit. Kjo është dita e dytë e homazheve për kryepeshkopin Anastas Janullatus që ndërroi jetë të shtunën.
Ceremonia mortore do të mbahet sot në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, që do jetë edhe i vizitueshëm.
Në ceremoninë mortore të 30 janarit, priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.
Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Kryeministri grek Mitsotakis do të shoqërohet nga një delegacion i gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.
Lini një Përgjigje