Partia Socialiste e Edi Ramës është kthyer në një trupë politike e atrofizuar, ku nuk ka as diskutim, as individualitete, e as debat e konkurrencë për një gjë të re.
Në korridoret e mazhorancës, këto ditë flitet se “i madhi” ka arritur të marrë vesh disa sms mes deputetësh, senatorësh apo edhe kryebashkiakësh, që kanë shkëmbyer mesazhe për kongresin që nis të dielën.
Pak a shumë këto biseda kanë qenë thjesht gallatë mes njerëzve që e konsiderojnë njëri-tjetrin miq, e kanë folur me shaka se do të duhet të përgatiten për të dëgjuar për orë të tëra shefin e madh në sallën e Pallatit të Kongreseve në mes të kësaj vape.
E siç ndodh në këto raste, ku ‘të madhit’ nuk i shpëton asgjë, janë thirrur personat e “bezdisur” e u është bërë seancë pyetjesh poshtëruese, jo nga shefi, por nga njerëz që të bëjnë gjëmën, e nuk kanë lidhje me politikën e Partinë Socialiste, por vetëm me Edi Ramën.
Që do të thotë u ka shkuar në vesh mesazhi se shefi e di se ju talleni me të. E kjo ka shkaktuar ankth e frikë, sidomos tani që përflitet se grupi parlamentar aktual do të ndryshojë deri në 40% në zgjedhjet e ardhshme.
Pra vetëm ky ankth e kjo frikë, është gjëja më e re, edhe më interesante e kongresit zgjedhor të Partisë Socialiste, i cili pritet t’i ngjajë tablove të takimeve butaforike të Fidelit në Kubë, që fliste me orë e pa pushim, apo mexhliset e Rexhep Erdoganit në Turqi, ku flet vetëm një person, e të tjerët poshtë duartrokasin, bërtasin e çirren për udhëheqësin. Një skemë e njohur kjo, që këto kohë po ri-hidhet në rrjetet sociale nga nostalgjikët arabë që kujtojnë Sadam Husseinin apo Gedafin e Libisë. Që ngjajnë me Bablokun tonë, që PS-në e ka kthyer në një parti ‘Bath’ të tipit arab.
Vetëm dorëheqja e Joe Bidenit dhe debatet për kandidaturat e reja të Partisë Demokratike Amerikane për President, kanë sjellë një energji të re për atë pjesë politike që dukej e vdekur një javë më parë.
Atentati i dështuar ndaj Donald Trumpit që ishte një kob i fortë, por edhe një zhvillim që i dha hov republikanëve, duket se është harruar pikërisht nga dinamika e debatit të brendshëm te demokratët amerikanë.
Pasi në një vend me demokraci alternative, debati dhe përplasja janë në të vërtetë thelbi i politikës, që më pas sjell një alternativë.
Partia Socialiste e Edi Ramës është kthyer në një trupë politike e atrofizuar, ku nuk ka as diskutim, as individualitete, e as debat e konkurrencë për një gjë të re.
Në kohën e Fatos Nanos, Partia Socialiste arriti që pikërisht me anë të debatit dhe përplasjeve të siguronte një lëvizje të shpejtë e të vazhdueshme të elitave. Natyrisht edhe mjaft korrupsion, por kjo ishte në kushtet e një pandëshkueshmërie permanente. Megjithatë, kjo përplasje u bë një faktor që edhe PD e atrofizuar nga Sali Berisha në atë kohë, të rikthente aq sa mundej debatin, konkurrencën dhe ardhjen e elementëve të rinj në politikë.
PS e Edi Ramës, ka kohë që nuk është më një trupë politike, por një aparat gjigand ku vendos vetë shefi me një divan të ngushtë vezirësh që askush nuk i njeh. Kurse punët i kryen me ‘qifet’ e hurit dhe litarit dhe një grusht oligarkësh që janë kthyer në agjitropë të urryer në rrjetet sociale.
Asnjë ministër, asnjë kryebashkiak, asnjë deputet nuk ka më peshë sot, nuk ka mundësi të propozojë apo të flasë diçka që të ketë akses politik.
Edhe kur e bëjnë, marrin ose tallje, ose inat, të tipit, po ty ç’të duhet? Ndaj dhe askush nuk flet, nuk ka interes, nuk ka stimuj apo edhe ego për të arritur diçka. Rama e ka mbyllur debatin e pasardhësit, edhe pse ka arritur në pikën e një pushteti që nuk ka më ç’të japë. Edhe emrat e rinj që i sjell si ai prestigjitatori në cirk, i nxjerr si lepujt nga xhepi i brendshëm.
Degët e PS-së dhe strukturat e saj nuk prodhojnë më asnjë emër, asnjë drejtues, nuk ka më as karrierë, pasi e dinë se kryebashkiakët apo deputetët i vendos Edi Rama, në bazë të tarafeve të të fortëve.
Ndaj dhe këta lobe, ata të krimit, janë kthyer në sallonet e vërteta politike, ku sillen edhe deputetët për të marrë sadopak feedback nga mendimet e sulltanit të Surrelit.
Nëse situata vazhdon kështu siç është, e nuk do të ketë më asnjë interes apo kurajo nga politikanët e lartë të PS-së, për të turbulluar ujin, diga do të shpërthejë së shpejti e PS do të ketë fatin e simotrave të saj që janë zhdukur nga faqja e dheut, ose janë shkërmoqur. Siç ndodhi me PASOK në Greqi apo edhe me LSDM-në në Maqedoninë e Veriut./Pamfleti
Lini një Përgjigje