
Kreu i PD-së, Sali Berisha, në tubimin e përnatshëm në 'Rrugën e Shpresës', u shpreh se Edi Rama dje përmbysi ministra dhe emëroi ministra të cilët e morën vesh aty në sallë.
Berisha u shpreh gjithashtu se kjo që bëri Rama në mbledhjen e partisë së tij është tallje e shkelmim i madh. Sipas tij, Rama tregoi se brenda PS-së nuk ka asnjë njeri përveç tij.
“Të dashur miq, normale është që njerëzit të debatojnë, të diskutojnë për kongresin e djeshëm të Partisë së Krimit.Por e vërteta është se çdo shqiptar që e ndoqi dje atë kongres, që ndoqi mediat dhe zbulimet e tyre gjen te kongresi vetëm Kongresin e Metamorfozës të Rilindjes së Edi Ramës. Të asaj metamorfoze në të cilën në publik, në sallë, në fjalime, nuk figuronin familjet e mëdha mafioze të PS, por figuronin njëlloj si në dosjet e krimit të Metamorfozës, bosët politikë të krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Të krimeve të të gjitha llojeve. Miqtë e mi, ju e patë se si njëlloj si në shpellën apo bodrumet më të errëta të mafies, padrinoja dje përmbysi ministra dhe emëroi ministra të cilët e morën vesh aty në sallë.
Duke dëshmuar përfundimisht në Kongresin e Metamorfozës se aty gjithçka, asamble, kryesi dhe çdo gjë tjetër është një njeri dhe vetëm një njeri dhe ky është padrino Edi Rama. Për të faktuar këto që po them, ai pasi njoftoi shkarkime ministrash, kryeparlamentarësh, pasi vendosi kryqin e krimit mbi deputetët e tij, në mënyrën më poshtëruese, më qesharake, njoftoi se sot mblodhi kryesinë e partisë për të diskutuar për emërimet që bëri dje në kongres. A ka tallje më të madhe se kjo? A ka shkelmim më të madh se ky? A ka dëshmi më flagrante të Metamorfozës së plotë të Rilindjes së Edi Ramës, metamorfozës së saj në krimin politik, krimin ordiner, krimin e gjithanshëm?”, u shpreh lideri i opozitës.
Lini një Përgjigje