Ikja e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, duket se ka 'hequr një gur' nga këpuca e Sali Berishës, i cili sapo ka mbyllur një marrëveshje të rëndësishme me Edi Ramën...
Hipotezë e ekzagjeruar? Ndoshta! Por, për ta lëvruar si mundësi, duhet pasur parasysh të gjithë kontekstin dhe sfondin e zhvillimeve aktuale dhe atyre që priten të ndodhin.
Një nga aktet që pritet me orë, është procedimi penal ndaj Ilir Metës. Tjetri, është aktivizimi praktik i masave hetimore si pasojë e dosjes 21 janari, që edhe ajo ka nisur zyrtarisht nga SPAK.
Të gjitha veprimet që prokuroria e posaçme do të ndërmarrë apo ndërmerr zakonisht për dosje të rëndësishme, i bën me Policinë e Shtetit. Gjegjësisht me ministrinë e Brendshme.
E cila është faktori kyç në të gjitha aksionet vertikale që vijnë si pasojë e vendimeve që merr Gjykata Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Nëse i kthehemi qëndrimeve të Sali Berishës, vetëm ditëve të fundit nga papafingoja e katit të tetë, kreu i PD-së, ka shënjestruar Taulant Ballën, si një rrezik për të dhe njerëzit e tij. Një deklaratë e tillë, bëhet ose për ta sulmuar egër, e për ta neutralizuar sadopak, ose për ta forcuar.
Kjo e dyta, bie, pasi fakti është se nën drejtimin e Taulant Ballës, Sali Berishës i kanë prerë krahët, duke hetuar e arrestuar, pjesë të asaj që ai e quante si ”gardë pretoriane”.
Ikja e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, duket ka hequr një gur nga këpuca e Sali Berishës, i cili sapo ka mbyllur një marrëveshje të rëndësishme me Edi Ramën.
Marrëveshje që pati si menu kryesore rikthimin e vulës blindimin e listave elekektorale, siç donin të dy dinozaurët, plus pakteve të fshehta për kulla e licensa biznesi. Por duket se pjesë e saj është edhe një farë ”neutraliteti” në aparatin shtetëror.
Vizita e Taulant Ballës në Uashington dhe dekorimi i tij nga DASH, pas një luajaliteti me SPAK për hetime dhe arrestimesh grupesh kriminale, policë të lidhur me krimin, e personazhe të rëndësishëm të shtetit, duket e fuqizoi mjaft ministrin e Brendshëm.
I cili me lidhjen e kontakteve direkte me amerikanët, mund të bëhej edhe ”i pakontrollueshëm”. Ndaj edhe nevojitej një tamponizim i dikasterit që krijon politikanë të fortë. Një arrestim i VIP-ave të tjerë, mund ta kishte kthyer ministrin e Brendshëm në një fuqi të tretë edhe më potenciale se dy klanet aktuale në PS që i kontrollon plotësisht Edi Rama, dhe që i ngre e i ulë sipas temperaturës së ditës.
Ndërsa Balla, vjen nga lobe pak tangente me bablokun, ka lidhje me klane e grupe interesi që dikur i kanë nxirë jetën Edi Ramës, siç është parardhësi i tij, Fatos Nano.
E në këtë rast, Kryeministri po ndjek gjurmët e mentorit të tij politik, Rexhep Taip Erdogan. i cili të gjithë politikanët që u fuqizuan në oborrin e pushtetit të tij, ose u preu kokën ose i largoi përfundimisht.
Shembulli më i fortë është Fejtullaj Gylen, njeriu që e financoi, e mbështeti, e këshilloi Erdoganin për t’u bërë lider, e sot ata janë armiqtë më të mëdhenj.
Presidenti i Republikës Turke, Abdulla Gyl, ishte njeriu që drejtoi i pari qeverinë e AKP-së ndërsa Erdogani ishte në burg, dhe i liroi vendin sapo doli. Sot Gyl, është një kritik i fortë i Erdoganit, jashtë strukturave të AKP-së.
Ahmet Davutogllu, ideologu i neotomanizmit, ministër i Jashtëm dhe kryeministër- besnik i Erdoganit. Sot është një kryetar i një partie të vogël që në zgjedhjet e fundit ishte me opozitën.
Edi Rama nuk do askënd, që të mendojë se mund të ecë politikisht në karrierë. Me atë që u pa në kongres, tregoi se do ta pastrojë totalisht PS-në nga socialistët, qofshin këta edhe rilindas.
Për t’i zëvendësuar me burokratë, që i ka provuar më parë në punëra të pahijshme përgjimi dhe spiunimi, apo edhe shërbimi.
Tashmë radhën për t’u goditur e kanë dy tre ministre që me naivitet po hapin fjalë se janë forcuar në kongres. E në momentin e dehjes, ndoshta në shtator, do të nisë vala e dytë e ndryshimeve siç ndodhi edhe vjet, kur bëri formatimin e dytë pas fësh-fësheve të salloneve nga emërimi i Taulant Ballës.
Ndërsa grupin parlamentar do ta mbushë me të ”rinjtë” që janë bërë gati prej vitesh me shoqata bamirëse e reality show në televizion, duke u shitur si persona publikë apo VIP-a.
Babloku donte ta bëntë në 2021, por ngaqë ishte tërmeti e pandemia luajti me figurat e inxhinieres së njohur Luljeta Bozo apo doktoreshës së efektivit Najada Çomo. Për 4 vjet, askush nuk e pa rezultatin e tyre politik, madje mjekja e lëshoi mandatin pa e marrë.
Thjesht sa për të zbatuar planin empirik të Edi Ramës për ta bërë PS-në, një grusht lobesh e principatash politike që lëvizin sipas telave të tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje