Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke deklaruar se vendi ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen europiane.
Në reagimin e tij , kreu i shtetit e cilësoi konferencën si një moment historik për Shqipërinë dhe një tjetër etapë në rrugëtimin e pakthyeshëm europian të vendit.
Ai theksoi se integrimi europian nuk është vetëm një objektiv politik i qeverive, por një projekt kombëtar që përfaqëson aspiratën historike të shqiptarëve për një vend më demokratik, më të zhvilluar dhe më dinjitoz në Europë.
“Integrimi evropian është projekt kombëtar, është aspirata e brezave të shqiptarëve për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze në familjen evropiane”, deklaroi Begaj.
Presidenti shprehu urimet për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha institucionet që kanë kontribuar në procesin e reformave dhe avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Ai nënvizoi se procesi i integrimit kërkon vijim të reformave, përgjegjësi institucionale dhe përkushtim të vazhdueshëm nga politika dhe shoqëria shqiptare.
"Sot, Shqipëria hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt familjes evropiane. Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE është një tjetër moment historik në rrugëtimin e pakthyeshëm evropian të Shqipërisë.Integrimi evropian është projekt kombëtar, është aspirata e brezave të shqiptarëve për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë, më të zhvilluar dhe më dinjitoze në familjen evropiane.
Urime Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për këtë arritje të rëndësishme! Rruga vazhdon me më shumë besim, përgjegjësi dhe përkushtim."-shkruan Presidenti Begaj.
Lini një Përgjigje