Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Brukseli se Shqipëria është e gatshme për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Ndërqeveritare.
Rama e cilësoi takimin si një moment të rëndësishëm për procesin integrues të vendit, duke theksuar se Shqipëria po hyn në një etapë të re të negociatave me BE-në.
Rama tha se Shqipëria ka pritur shumë gjatë dhe ka punuar shumë për këtë moment.
“Është një çast i rëndësishëm në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Është një moment për të cilin kemi punuar shumë, që prej një kohe shumë të gjatë. Dhe është një moment kur gjysma e punës për hapjen e të gjithë grupkapitujve është bërë dhe tashmë është radha për të mbyllur të gjithë grupkapitujt.“, tha Rama.
I pyetur lidhur me opsionin e anëtarësimit të Shqipërisë fillimisht pa të drejtën e vetos, kryeministri u shpreh: “Unë e kam promovuar këtë ide prej disa vjetësh sepse e kemi provuar prej vitesh… Sepse çështja e zgjerimit nuk ka qenë aq e pranishme në kryeqytetet europiane dhe kjo ka bërë të dalin me propozime të tjera. Ndaj unë e kam mbështetur këtë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një anëtarësim të lehtë, pra me pak të drejta në BE. Por natyrisht ne kërkojmë anëtarësim të plotë së bashku me reformimin e plotë të BE-së.”
Ndërsa pyetjes se sa kohë do të duhet të kalojë që Shqipëria të pranojë që mos të ketë fuqinë e vetos, Rama iu përgjigj: “Shqipëria ka qenë gjithmonë në një linjë me politikën e jashtme të BE-së, nuk e imagjinon që të ketë kënaqësinë e përdorimit të një vetoje. Gjithmonë kemi qenë pro BE-së dhe NATO-s. Kjo nuk është ajo çka mendojmë ne, por duke iu referuar barometrit europian, një sondazh që kryhet me qytetarët e vendeve të rajonit, të vendeve kandidate.”
Në Bruksel po zhvillohet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Konferenca vjen pas vendimit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së (COREPER), i cili konfirmon përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm në grupkapitullin “Themeloret”, si dhe përcakton objektivat përmbyllës për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, dhe Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Kujtojmë se takimi paraardhës i këtij niveli u mbajt në nëntor të vitit 2025, kur u hap grup-kapitulli i fundit i negociatave me BE, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Gjë që sipas kreut të qeverisë u arrit në një kohë rekord, për vetëm 12 muaj!
Lini një Përgjigje