TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Tetor 2025, 12:23

Komisioni i Ligjeve, Bylykbashi: Task-Forca e SPAK dështoi, krimi zgjedhor nuk u parandalua

Shkruar nga Pamfleti

Komisioni i Ligjeve, Bylykbashi: Task-Forca e SPAK dështoi, krimi zgjedhor

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se Prokuroria dështoi me ngritjen e Task-Forcës për të parandaluar krimin zgjedhor. Ai shtoi se raporti më i fundit i OSBE/ODIHR për 11 majin e tregoi më së miri se krimi zgjedhor nuk u parandalua.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe Administratës Publike po diskutohen 6 pika në rendin e ditës, 6 projektrezoluta që do prezantohen të hënën në seancë plenare për raportimin e institucioneve të pavarura, përfshi ato të drejtësisë.

Bylykbashi ka kritikuar organin e akuzës, ndërsa theksoi se asnjë nga problematikat nuk u përfshi në këto rezoluta, ashtu si raporti i DASH më herët dhe ai për zgjedhjet.

“Raporti i OSBE/ODIHR tregoi se Task-Forca e Prokurorisë nuk funksionoi, nuk u parandalua krimi zgjedhor dhe blerja e votës. Rezoluta këtu vetëm sa prekin sipërfaqen dhe nuk flasin të vërtetën. Parlamenti të vërë gishtin në plagë, situatat përkeqësohen më shumë dhe përshkallëzojnë. kemi raporte nga OSBE/ODIHR, DASH e të tjera, që nuk janë përfshirë këtu dhe që duheshin futur, duhen diskutuar”, tha Bylykbashi.

Më tej, deputeti trajtoi problematikat dhe faktin se si mazhoranca hesht, nuk ka qasje për t’i zgjidhur këto problematika dhe që i intereson situata e kontrollit zgjedhor.

“U ngrit një Task-Forcë që ka dështuar në mënyrë masive. Krimin zgjedhor mund ta shohim në të dyja krahët, se si funksionon aktualisht dhe se si do vazhdojë më tej. Kemi centralizim të pushtetit, institucionet nuk janë të pavarura, ka bashkëpunim me krimin e organizuar dhe gjithçka përfundon siç përfundoi në zgjedhje me krim zgjedhor. Nuk pres që mazhoranca të ketë qasje. Mazhoranca ka hallin se humbet zgjedhjet, ndaj edhe raportet flasin qartë. Rezolutat këtu nuk përputhen, nuk dalin çështje”, tha Bylykbashi.

Rendi i ditës për rezolutat te Komisioni i Ligjeve:

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2024.

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vitin 2024.

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2024.

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë të Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2024.

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit së Departamentit të Administratës Publike, për vitin 2024.

Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik, për vitin 2024.

Lini një Përgjigje