TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2024, 22:04

Koincidencë apo mesazh, pse Blinken takoi 4 krerët e drejtësisë më të sulmuar nga Berisha?

Shkruar nga Pamfleti
Koincidencë apo mesazh, pse Blinken takoi 4 krerët e
Takimi Blinken-Dumani

Mesazhi ishte i qartë si për Berishën, ashtu dhe për gjithë të tjerët, që pas organeve të reja të drejtësisë është SHBA...

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dhënë sot mesazhe të qarta sa i takon drejtësisë.

Reforma po sulmohet dhe po anatemohet nga të gjitha anët dhe Blinken e vuri 3 herë theksin të drejtësia. Fillimisht u takua me disa prej krerëve të drejtësisë. Më pas në konferencën me Ramën deklaroi se reforma është me rëndësi për ta. Pasi u largua reagoi në rrjetin “X”, ku sërish përmendi drejtësinë dhe luftën antikorrupsion.

Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte takimi që Blinken pati me kreun e SPAK, Altin Dumani, kryetaren e Kushtetueses Holta Zaçaj, kreun e ILD Artur Metani dhe kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Bëhet fjalë për 4 emra që janë sulmuar dhe anatemuar shumë fort kohët e fundit, sidomos nga një person: Sali Berisha. Ky i fundit në çdo dalje nuk lë rast pa i sulmuar dhe Blinken sot i përshëndeti dhe u dha mbështetje.

Edhe pse takimi ishte i shkurtër dhe jo sikundër ishte planifikuar, fakti që ata folën 10 minuta me sekretarin tregon mbështetjen e SHBA për drejtësinë. Dhe mesazhi ishte i qartë si për Berishën, ashtu dhe për gjithë të tjerët që pas organeve të reja të drejtësisë është SHBA. Po ashtu e bëri të qartë se ata nuk duhet të sulmohen.

Sulmet e Berishës ndaj katërshes që takoi Blinken

Sulmet e Berishës ndaj Dumanit: “Miqtë e mi, Edi Ramën e mbron në Shqipëri vetëm një njeri dhe ky është Altin Dumani. Ky është Altin Dumani. Ky i pavarur që përbën edhe njeriun më të korruptuar pas Edi Ramës, nga Edi Rama. Muaj më parë, kohë më parë, u thoshte shqiptarëve se nuk hetojmë çështjen e McGonigal se ajo ka ndodhur tani. Më vonë regjistron çështjen. E regjistron vetëm për ta mbyllur atë, vetëm për të mbrojtur atë. Unë dua të informoj shqiptarët se ky avokat i krimeve të Edi Ramës, që mashtronte sot shqiptarët se ka dy vite që ka regjistruar çështjen, e vërteta është tjetër. Por që kur ka regjistruar çështjen gjer sot, nuk ka thirrur dot, nuk ka guxuar të thërrasë ata burra që patën guxim ta denoncojnë në media grupin e strukturuar kriminal Rama-McGonigal-Neza-Duçka. Sot u interesova, asnjë prej tyre nuk është thirrur në SKAP. Dhe i them Dumanit, turp të kesh gënjeshtar, ti do mbrosh Edi Ramën, por do të shporrim me Edi Ramën”.

Sulmet e Berishës ndaj Artur Metanit: "Edhe njëherë theksoj se afera e djegësave është vjedhja e shekullit, kurse hetimi është hetimi i shekullit. Sipas burimeve origjinale, po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilitdo punonjës me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të inspektorit të lartë të drejtësisë, Artur Metani, i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri. Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave. Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi. Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit”.

Koincidencë apo mesazh, pse Blinken takoi 4 krerët e
Emrat që takoi Blinken

Sulmet e Berishës ndaj Holta Zaçaj: “Para dy ditësh, ajo që është kryetare e Gjykatës Kushtetuese, u tha shqiptarëve se është e paimagjinueshme të mos zbatohet vendimi për Ndrikull Xhaçkën, për Olta Xhaçkën, vendimi i gjykatës. Në emër tuaj, nuk më vjen mirë të merrem me një zonjë, por kur tejkalon çdo lloj limiti, nuk ke rrugë tjetër. Asaj zonje i them, më e paimagjinueshme se çdo gjë tjetër janë vendimet e tua të turpshme dhe kriminale. Zonjë, që nga paratë e këtyre qytetarëve, edhe të papunë, taksat e tyre, merr sot një rrogë 20 përqind më të lartë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, një vend me të ardhura pesë herë më të larta se Shqipëria, ajo që nuk mund ta imagjinojë një njeri është të shkruash në zyrën tënde të turpit, Kushtetutën e vendit. T’i hiqesh të drejtën opozitës për ankesë të pakushtëzuar që i ka njohur Kushtetuta. Të shpallësh entitet parlamentin, që nuk e njeh Kushtetuta si të tillë. Ku ke ti moral të flasësh për imagjinatë, kur ti nuk njeh as të drejtën kushtetuese të vendit tënd, as të drejtën ndërkombëtare. A e di ti zonjë se në të drejtën ndërkombëtare, në konventat që ka firmosur ky shtet, ti kurrë nuk mund të votoje për ndërtimin e Skavicës, se ajo që ti bëhesh këshilltare e narkoshtetit, që është turpi i dheut, e di çfarë do të thotë ajo këshillohu, do të thotë se ke shkelur ligjin ndërkombëtar, do të thotë se ke vendosur pa pyetur komunitetin, do të thotë se vendimi nuk ka vlerë, do të thotë se ligji nuk ka vlerë”.

Sulmet e Berishës ndaj Sokol Sadushit: “Çfarë ndodh sot në drejtësinë shqiptare? Drejtësia shqiptare ka një “satrap” dhe ky “satrap” quhet Sokol Sadushi. Ju do thoni pse e quaj unë të tillë? Në Gjykatën e Lartë asnjë çështje nuk del për shqyrtim pa vendosur Sadushi dhe këshilltari i tij datën. Së dyti të gjitha çështjet me shtetin, administrative i shqyrton Kolegji Administrativ që kryesohet po nga Sadushi. Së treti të gjithë çështjet e doganave, tatimeve, naftës, energjisë kanë kryetar të trupit gjykues po Sadushin e partisë. Së katërti, 95% e çështjeve të Kolegjit Administrativ, të Kolegjit të Sadushit, bëhen në Dhomë Këshillimi pa praninë e palëve, dhe vetëm 5% bëhen me praninë e palëve. Ky është gjykimi më jo transparent që mund të ndodhë. Mbi 80% e të gjitha çështjeve palë që është biznesi me qeverinë i fiton shteti në Gjykatën e Lartë kur kryegjykatës është Sadushi”.

Lini një Përgjigje