Ditën e sotme me 79 vota kundër, është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar i Kuvendit.
10 deputetë votuan pro ndërsa asnjë nuk abstenoi. Votimi u bë në mënyrë të fshehtë ndërsa PD-ja, që vetë e inicioi këtë proces, nuk mori pjesë.
Arsyen e mospjesëmarrjes në votim e sqaroi Sali Berisha jashtë Kuvendit, teksa akuzoi sërish për shkelje të rregullores. Sipas tij, duhet të ishin hedhur të dy raportet për votim, i PD për shkarkimin dhe të PS që e kundërshtonte, dhe më pas të kalohej në votimin për shkarkimin e Peleshit. Sipas Berishës, nënkryetarja Klodiana Spahiu kaloi direkt në votimin për shkarkimin sepse kishte marrë urdhër.
Peleshi, në fjalën që mbajti para votimit, akuzoi opozitën për përçarje. Peleshi hodhi poshtë akuzat se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.
"Do t'i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë", tha Peleshi.
Lini një Përgjigje