TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Shkurt 2026, 07:12

Kërkesa e SPAK, çfarë pritet të vendosë sot Këshilli i Mandateve për imunitetin e Ballukut

Shkruar nga Pamfleti
Kërkesa e SPAK, çfarë pritet të vendosë sot
Keshilli i Mandateve dhe Imuniteteve

SPAK depozitoi në Kuvend një kërkesë për autorizim në rastin e Ballukut rreth dy muaj më parë, ndërsa Kryeministri Edi Rama i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një ankim, sa i takon një vendimi të GJKKO-së, për pezullimin e saj nga funksionet qeveritare...

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet sot për të vendosur lidhur me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për Belinda Ballukun, zv.Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, e cila është e pezulluar nga detyra.

SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për të proceduar më tej me rastin e Ballukut, ndërsa ka një përplasje mes mazhorancës në njërën anë dhe Prokurorisë Speciale në tjetrën, sa i takon procedurës së ndjekur në vendimin për pezullimin e saj nga funksionet qeveritare.

Çështja mbetet për tu shqyrtuar mes palëve, ku në njërën anë prokurorët e SPAK duhet të përgjigjen për pyetjet që mund të kenë deputetët, ndërsa avokatët e Ballukut do të paraqesin argumentet e tyre. Por kjo nuk pritet të ndodhë në seancën e sotme, ku palët duhet të dakordësohen fillimisht se kur të të shqyrtohet në themel çështja.

Ndaj, pritet që në mbledhjen e sotme Këshilli i Mandateve të shqyrtojë nëse vendimi për Ballukun  do të merret sot apo do të caktohet një tjetër datë për kërkesën e SPAK. Këshilli duhet të vendosë nëse do t’i hiqet ose jo imuniteti dhe nëse Kuvendi do të autorizojë SPAK për një masë sigurie ndaluese (arrest me burg, arrest shtëpie, apo kontroll banese) për zv.Kryeministren e pezulluar nga detyra, apo ajo do të rrëzohet.

SPAK depozitoi në Kuvend një kërkesë për autorizim në rastin e Ballukut rreth dy muaj më parë, ndërsa Kryeministri Edi Rama i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një ankim, sa i takon një vendimi të GJKKO-së, për pezullimin e saj nga funksionet qeveritare. Kushtetuesja nuk arriti të merrte një vendim për shkak se 8 anëtarët e saj u ndanë 4 me 4, pra pa arritur të krijojnë një shumicë, duke bërë që të mbetet në fuqi vendimi i GJKKO-së.

Vendimi i Kushtetueses ende nuk është zbardhur, çka do të thotë se kjo mund të jetë një arsye që deputetët, anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të kërkojnë më shumë kohë në dispozicion. Kushtetuesja ka kohë 30 ditë për të shpallur vendimin, çka do të thotë se ligjërisht afati është deri në javëne parë të marsit, nisur nga fakti se 6 shkurti ishte data e fundit kur anëtarët e Gjykatës deklaruan ndarjen 4 me 4,  dhe dhënien e argumenteve të tyre.  

Më herët anëtarët e mazhorancës në këtë Këshill e lidhën shqyrtimin e kërkesës së SPAK me ankimin e Kryeministrit në Kushtetuese, duke u shprehur se në fillim duhej të shprehej Gjykata dhe më pas të procedohej me kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Ky qëndrim i socialistëve u interpretua nga opozita si një përpjekje për të zvarritur çështjen dhe të tejkaloheshin afatet e shqyrtimit të kërkesës së SPAK, e cila ka një vlefshmëri 3 muaj dhe nëse nuk ka një shqyrtim, ajo duhet të përsëritet nga Prokuroria Speciale.

Opozita pritet të kërkojë në mbledhjen e sotme një vendimmarrje sa më të shpejtë, ndërsa SPAK ka depozituar në fund të dhjetorit 2025 kërkesën e tij bashkë me një seri provash dhe dokumentesh, të cilat konsiderohen si sekret hetimor dhe deputetët, anëtarë të Këshillit, nuk u lejohet që t’i bëjnë publike.

Në anën tjetër, socialistët, bazuar edhe në deklaratat publike të Kryeministrit Edi Rama, se çështja nuk ka ndonjë urgjencë për tu shqyrtuar, mund të kërkojnë që të pritet zbardhja e vendimit të Kushtetueses, për të parë edhe argumentet e plota të anëtarëve të ndarë në pro dhe kundër ankimit të Kreut të Qeverisë, nëse një Gjykatë ka të drejtën ose jo të pezullojë nga detyra një anëtar të Këshillit të Ministrave.

Paralelisht, mazhoranca ka ndërmarrë një nismë, për të ndryshuar nenin 242 të Kodit Penal, mbi të cilën SPAK është përqëndruar në rastin e Belinda Ballukut, duke kërkuar pezullimin e saj nga funksionet qeveritare. /Pamfleti/

keshilli i mandateve balluku spak

Lini një Përgjigje