
Me debate të forta ka nisur mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku deputetët e opozitës nuk lejojnë zhvillimin e saj, duke përdorur sikundër edhe në Kuvend, bilbila për të krijuar zhurmë.
Deputetët socialistë janë futur në sallën ku ishte parashikuar të mbahej mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Deputetët e Bardhit dhe Berishës kanë bllokuar sallën dhe kanë zënë karriget dhe kjo ka nxitur debat me mazhorancën.
Damian Gjiknuri kërkoi që karriget të liroheshin dhe në pamundësi u ka thënë “kalofshi një ditë të mbarë”.
Gjiknuri: A do opozita reformë zgjedhore? Do apo jo? Lironi vendin.
Vokshi: Nuk na e caktoni ju bashkëkryetarin ne.
Pas këtij debati, socialistët janë larguar nga salla.
“Për çfarë paguhemi, për çfarë vijmë ne këtu”, dëgjohet të thotë Ervin Salianji duke iu drejtuar Damian Gjiknurit.
Ndërkohë, grupi i Bashës nuk është paraqitur.
Kujtojmë se deputetët e PD kërkojnë ribërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe që kryetar të jetë Oerd Bylykbashi si dhe të ketë një anëtarësi tjetër, kërkesë kjo që ende nuk është shqyrtuar.
OSBE/ODIHR-i u ka bërë thirrje partive kryesore në vend që të gjejnë gjuhën e dialogut dhe të angazhohen në realizimin e reformave në mënyrë që të zgjidhet çdo problematikë që lidhet me procesin zgjedhor në Shqipëri. Ambasadorja e misionit në Tiranë Clarisse Pasztory ka takuar javën e shkuar kreun e grupit të PD Gazment Bardhi si dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit të “Zgjedhores”.
Ndërsa Gjinkuri e Alibeaj kanë kërkuar atashimin e ekspertëve ndërkombëtarë për t’i ardhur në ndihmë punës së këtij komision, Bardhi hodhi akuza ndaj tyre duke thënë se rifillimi i punimeve është një fasadë. Ai u shpreh për mediat se demokratët i besuan fillimisht Alibeajt, por ai nuk e realizoi detyrën e tij.
Lini një Përgjigje