Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Njësisë numër 3 në Tiranë ku foli vetëm për rritje pagash, për pensionet dhe gjithçka tjetër që paralajmëron vetëm zhvillim nga partia në pushtet.
Ai foli për projekt-buxhetin e PS-së, duke u shprehur se ka si kryefjalë pensionistët, ndërsa gjithashtu u ndal dhe te pagat e personave që punojnë.
Teksa nuk ka njoftuar rritje direkte për pensionistët, por vetëm bonus për fundvit, Rama tha se ata do të marrin çdo vit më shumë.
“Çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Çfarë pensionistët do të marrin në 2026-ën do të dyfishohet në 2027, do trefishohet në 2028, do katërfishohet në 2029 dhe do të pesëfishohet në 2030-ëm. Është një sforco shumë e madhe nga pikëpamja financiare, por është një sforco që më në fund mund të bëjmë, sepse jo vetëm që është një gjë që e kemi synuar dhe dëshiruar, por nga ana tjetër mund ta bëjmë pa cenuar pjesën tjetër, rritjen ekonomike, të ardhurat që duhet të vendosim për të gjitha ato aspektet që lidhen me fëmijët, kopshtet, çerdhet, shkollat, që nga kujdesi shëndetësor te ai social.
Në buxhetin e vitit që po troket, që nga janari, paga minimale, për të gjithë shqiptarët që jetojnë me punë, ata që e kanë 400 euro do të shkojë 500 euro. Nuk do të jetë vetëm për ata që punojnë në sektorin publik, por për të gjithë ata që punojnë. Deri në fund të mandatit të katërt do e çojmë pagën minimale 700 euro. Për shkak të pagës minimale do të rriten dhe pagat e tjera. Do të rriten pagat për mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe gjithë të tjerët”, tha ndër të tjera Rama.
Qeveria ka vendosur që pensionistët të përfitojnë një bonus të përkohshëm, në vend të një rritjeje direkte të pensioneve.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit të FMN-së, e justifikoi këtë vendim duke thënë se skema e pensioneve është në proces ristrukturimi dhe se bonusi është një zgjidhje e përkohshme deri në ndryshimet strukturore.
Ndërsa sipas ekspertëve të ekonomisë, deklarata e kryeministrit Edi Rama për rritjen e pensioneve është një mashtrim i radhës.
Për ekspertin Kujtim Hoxha duhet theksuar se rritja prej 600-1800 lekë e pensioneve, nuk është as indeksim dhe as rritje por është shpërndarja e bonusit të fundvitit.
Hoxha tha se kjo shumë nuk i ndihmon pensionistët, teksa i drejton një pyetje kryeministrit Rama për minimumin jetik.
“Ky është problemi sepse me këtë reformë në të ardhurat e pensionistëve kryeministri ynë nuk arriti të krijojë një skemë e t’u japë shpresë pensionistëve, sepse nuk bën asgjë me 6 mijë lekë apo 18 mijë kur qytetarët kur dalin në treg shohin që me këto para nuk mbushin dot një qese me produkte në treg apo të marrin një shërbim mjekësor. Nëse do ta kisha drejtpërdrejt kryeministrin, do t’i thosha kur do ta nxjerrësh minimumin jetik që shtresat në nevojë të ndjejnë se mbrohen nga dikush. Kjo është detyrë e qeverisë”.
Po, keshtu duket . Nuk thote nese do te kete tjeter fond per bonuse ne 2026…27…28..29, dhe nuk thote nese kjo rritje graduale qe ai permẽnd do ti shtohet pensionit bazẽ si DEFINITIVE.