Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve tha se PS dhe PD janë pranë dakordësisë për një rezolutë të përbashkët me Kosovën.
Ajo u shpreh se kjo rezolutë është një akt mbështetjeje ndaj qëndrimin zyrtar të qeverisë dhe parlamentit të Kosovës për atë çfarë ndodhi disa ditë më parë në Veri.
“Duke qenë se kjo do jetë një seancë e veçantë e parlamentit, deputetët të cilët janë përjashtuar duhet të ishin pjesë e seancës sepse çështja e Kosovës duhet të na bashkojë. Heqja e të drejtës së tyre për të marrë pjesë në seancë është e padrejtë. Nga informacionet e fundit, unë kuptoj që do kemi një dakordësi me tekstin e rezolutës dhe shpresoj që për këtë të mos ketë debat politik siç ndodh rëndom.”, tha Tabaku.
Tabaku theksoi po ashtu se mazhoranca ka refuzuar sërish kërkesën e opozitës për një komision hetimor.
“PS përsëri refuzoi të drejtën që opozita të ngrejë komision hetimor. Në komisionin e tretë radhazi që nga Shtatori ne kemi kërkuar që pakica parlamentare të ushtrojë atë funksion kushtetues që i takon me ligj, por edhe të bazuar mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e ngritjes së një komisioni hetimor. Askush s’mund të kontrollojë të drejtën e opozitës për kontroll dhe balancën e pushteteve. Po kthehet në një normë që mazhoranca përveç super pushtetit që ka, tashmë kontrollon dhe vendos dhe për të drejtën e opozitës. Këtë vit nuk kemi pasur asnjë komision hetimor, ky i fundit ishte për të parandaluar konfliktin e interesit në vendimarrje të zyrtarëve të lartë.”, tha ai.
Lini një Përgjigje