“Ne nuk kemi komente specifike për të bërë mbi këtë çështje”- u shpreh një zëdhënëse e Komisionit Evropian, pasi portali i njohur Politico.eu zbuloi se Zyra e Prokurorit Evropian po heton krimet e mundshme të lidhura me negociatat midis Ursula von der Leyen dhe shefit ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla, për blerjen e vaksinave kundër Covid gjatë vitit 2021.
Hetimi iu transferua Prokurorisë Evropiane nga prokuroria e Lièges në Belgjjikë, e cila u aktivizua vitin e kaluar pas një ankese të paraqitur nga një lobist belg i afërt lëvizjen kundër vaksinave, Frédéric Baldan, të cilit iu bashkuan më pas edhe qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë.
Sipas Politico.eu, hetimi mbi zonjën Von der Leyen ka të bëjë me veprave e dyshuara penale të “ndërhyrjes në funksionet publike, shkatërrimit të mesazheve me tekst, korrupsionit dhe konfliktit të interesit”. Të gjitha këto akuza bazohen tek zbulimet e bujshme të gazetës amerikane New York Times, të cilat zbuluan se Von der Leyen kishte negociuar për blerjen e vaksinave Pfizer me zotin Bourla përmes një korrespodence me mesazheve me tekst.
Komisioni Evropian ka refuzuar gjithmonë që të zbulojë përmbajtjen e atyre mesazheve. Vlera e përgjithshme e blerjeve të vaksinave vlerësohet se arrin në 20 miliardë euro. Qeveritë e Varshavës dhe Budapestit ndërhynë pasi ishin në një konflikt të ashpër me Komisionin mbi sasinë e kontributit të tyre për blerjen e vaksinave (gjithsesi qeveria e re polake e drejtuar nga Donald Tusk, ka njoftuar se synon të tërhiqet nga çështja).
Presidentja e Komisionit Evropian nuk është zyrtarisht nën hetim. Por lajmi mbi hetimin nga Prokuroria Evropiane, përbën një problem tjetër serioz për Von der Leyen, në një kohë kur ajo është e angazhuar në fushatën për rizgjedhjen e saj në krye të Komisionit.
Një PfizerGate do t’i shtohej shumë skandaleve të tjera të vogla, të cilat po karakterizojnë fundin e mandatit të parë të zonjës Von der Leyen. Ne kemi zbuluar së fundmi detajet e PieperGate, emërimit nga Von der Leyen të një eurodeputeti të kristiandemokratëve gjermanë (CDU), Markus Pieper, si i dërguar i BE-së për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Kjo pavarësisht se ai ishte kandidati më pak i përshtatshëm për të mbajtur këtë pozicion, dhe për të cilin komisioneri përgjegjës kishte shumë rezerva. “Skandali PieperGate nuk ka përfunduar ende”- deklaroi një burim i BE-së për Il Foglio.
Javët e fundit janë shfaqur shumë pikëpyetje rreth mënyrës sesi shefi i stafit të Von der Leyen, Bjorn Siebert, po ndikon dhe po menaxhon emërimet e zyrtarëve të lartë në Komisionin dhe Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të drejtuar nga spanjolli Josep Borrell.
Brenda Komisionit Evropian janë dhjetëra vende bosh për rolet e drejtorit të përgjithshëm, zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorëve dhe këshilltarëve, të cilat nuk plotësohen prej muajsh.
Komisioni nuk ka miratuar ende transferimin e Simon Mordue, këshilltarit aktual diplomatik të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, si zëvendëssekretar i përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm, pavarësisht se Borrell dha dritën jeshile që në muajin shkurt.
Sipas disa burimeve, Siebert do të donte fillimisht të merrte emërimin e disa zyrtarëve të afërt me Von der Leyen për postet e ambasadorëve të BE-së në vende të ndryshme jashtë BE-së. PfizerGate, PieperGate dhe emërimet e dështuara në administratë, janë ilustrimi më i mirë i një mënyre jashtëzakonisht të centralizuar, joefikase të menaxhimit të Komisionit dhe i kufirit me “shpërdorimin e pushteti”, siç e përkufizon një zyrtar.
Në të kaluarën, zonja Von der Leyen nuk ka nguruar të shkarkojë komisionerët apo zyrtarët e lartë, që vetëm thjeshtë dyshoheshin për parregullsi, pa pritur gjykimin e komisioneve të brendshme apo të gjykatave. Ish-komisioneri irlandez, Philip Hogan, u detyrua të jepte dorëheqjen gjatë pandemisë së Covid-19, për shkak të akuzës së shkeljes së rregullave kombëtare të bllokimit.
Edhe pse më vonë u lirua nga këto akuza. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Transportit i Komisionit, Estonez Henrik Hololei, u hoq nga posti i tij kur Politico.eu zbuloi se Katari kishte paguar për udhëtimin e tij në një konferencë.
Në një draft dokument për qarkullim të brendshëm, vetë Komisioni Evropian e pranoi se Hololei nuk kishte shkelur asnjë rregullore, por versioni përfundimtar u modifikua enkas nga kabineti i zonjës Von der Leyen për të fshirë pasazhin në të cilin u rehabilitua ish-drejtori i përgjithshëm.
Në rastin e PfizerGate, Komisioni jo vetëm që nuk e zbuloi kurrë përmbajtjen e mesazheve, por as e pranoi ekzistencën e tyre. Përgjigja ndaj hetimit nga ana e Prokurorisë Evropiane tregon se si ekipi i Von der Leyen përpiqet të lërë në hije gjithçka që ndikon negativisht tek presidentja aktuale e KE-së./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje