
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe përfaqësuesi për Himarën, Skerdjan Dhuli tha se nuk është vendimi i duhur shkarkimi i ministres së Jashtme në një kohë kur kemi një problem madhor me Greqinë.
Ai u shpreh se një vendim i tillë nga kryeministri Rama ka ardhur pasi Olta Xhaçka është e përfshirë drejtpërdrejt në korrupsion pronash.
“Pse Edi Rama ka pritur në zyrë Fredi Belerin? Edi Rama e ka pritur në zyrë Fredi Belerin, jo vetëm, por me 5 dëshmitarë himariotë. Atë Fred Belerin që ju thoni se është me kaq shumë probleme, Edi Rama e ka pritur në zyrë, madje i ka kërkuar të kandidonte për Partinë Socialiste, por për shkak se Beleri është i djathtë dhe ka bërë gjithmonë politikë djathtas, Edi Rama ngeli te Jorgo Goro”, u shpreh Dhuli për “Euronews Albania”.
Sipas tij, kjo ka ndodhur në vitin 2019, kur Beleri drejtonte protestat e banorëve të Himarës për çështjen e planit urbanistik të Himarës.
Kujtojmë se, gjatë një interviste për “Kathimerini”, Beleri ka provokuar duke thënë se në Himarë ndodhet një minoritet etnik grek, i cili sipas tij është mohuar që ekziston që nga koha e Enver Hoxhës, në një kohë kur të gjithë e dimë se në Himarë nuk ka ekzistuar kurrë dhe as nuk ekziston ndonjë minoritet grek.
Ndërkohë më tej bazuar në këtë retorikë boshe, Beleri mundohet në pjesën tjetër të intervistës që ta pasqyrojë mbajtjen në burg, si një shenjë hakmarrje ndaj tij.
Lini një Përgjigje