
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka reaguar në lidhje me investigimin italian te "RAI3". Alizoti nuk ka lënë pa komentuar edhe reagimet e kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë dokumentar.
Alizoti argumentoi se kryeministri Rama vepron njësoj si Putini, duke kërkuar që problemet juridiko-penale t’i zgjidhë me telefonata.
“Është pikërisht kjo arsyeja që kryerilindasi i ngjan Putinit. Njësoj si ai, Rama kërkon t’i zgjidhë me telefonata problemet juridiko-penale, sepse njësoj si regjimi i Moskës edhe i gjithëpushtetshmi i Tiranës nuk ka fare frikë nga drejtësia. Njësoj si atje, edhe këtu nuk hetohet asnjëherë Putini, por vetëm veglat e tij që dalin nga kontrolli. Njësoj si atje, edhe këtu qeverisin vëllezërit dhe miqtë e trafikantëve”, shprehet Alizoti.
Sipas deputetit demokrat, njësoj si në diktaturën ruse edhe në autokracinë shqiptare çdo akuzë për korrupsion ndaj kryetarit është akuzë për të penguar zhvillimin e vendit.
“Njësoj si në diktaturën ruse edhe në autokracinë shqiptare çdo akuzë për korrupsion ndaj kryetarit është akuzë për të penguar zhvillimin e vendit. Zakonisht, qeveria ruse, kur mediat e huaja zbulojnë ndonjë aferë korruptive akuzon demokracitë e perëndimin që nuk duan prosperitetin e nënës Rusi. Këtë rrugë, duket se po përdor edhe Rama, duke akuzuar RAI-n si pengesë të zhvillimit të Shqipërisë”, thekson Alizoti.
Më tej Alizoti nuk ka kursyer akuzat ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Rama.
“Në fakt ka disi të drejtë, nëse je vëllai i mikut të kartelit të kokainës dhe shefi i avokatit të trafikantëve, sigurisht zbulimi i aferave është ndalim i zhvillimit, sepse ky është zhvillimi që kërkon, për familjen, për miqtë, për bashkëpunëtorët politikë dhe të biznesit. Njësoj si Putini dhe miqtë e tij dhe krejt ndryshe nga ata që qeverisin vendet ku transmeton RAI apo publikohet BILD…”, shtoi Alizoti.
Lini një Përgjigje