Gazetari Artan Hoxha ka dorëzuar në SPAK 2 USB me pamje filmike që i kanë bërë gjëmën Metës...
Ilir Meta duket se është fundosur nga një bashkëpunëtor i tij sa i takon aferës CEZ-DIA. Përveç provave të vjetra që dihen tashmë, SPAK ka administruar dëshmi të reja. Sipas dosjes, në SPAK janë dorëzuar dy USB nga gazetari Artan Hoxha, i cili ka zhvilluar një intervistë me Elvis Matajn. Ky i fundit dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt.
Ai ka treguar se si Ismailja ka dhënë qindra mijëra euro për të ndikuar te ERE për të ulur çmimin e energjisë, ndërkohë që ka dhënë mbi 150 milionë lekë për fushatat e LSI. Paratë kanë shkuar për Agron Çelën dhe Arian Laçin. Ndërkohë kur i mbaruan paratë, Meta e hodhi Ismailajn si “limon të shtrydhur”.
Dosja e SPAK
Të dhëna të rëndësishme përftohen nga procesverbali i datës 23.09.2021, "Procesverbal i trankriptimit të bisedave, regjistruar me video dhe audio që ndodhen në USB", të dy USB-ve në të cilën ndodhen regjistrimet që ka realizuar gazetari Artan Hoxha me shtetasin Elvis Mataj. Regjistrimet janë audio dhe video dhe pjesëmarrësit në bisedë janë Elvis Mataj dhe Artan Hoxha, si dhe kameramani që i regjistron. Nga pamjet dhe përmbajtja e bisedave audio, duket qartë se biseda është e lirë dhe asnjë prej bashkëbiseduesve nuk është nën presion apo i kanosur. Këto dy USB janë dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari Artan Hoxha.
Në këtë regjistrim, shtetasi Elvis Mataj dëshmon për një sërë rrethanash lidhur me çështjen CEZ-DIA, shtetasin Kastriot Ismailaj, njohjet e tij me shtetasin Ilir Meta dhe marrëdhënien me të, lidhjet me shtetasin Petrit Ahmeti etj. Në mënyrë të përmbledhur ky bashkëbisedim i regjistruar paraqet interes për hetimin si mëposhtë:
- Një e dhënë e rëndësishme që dëshmon shtetasi Elvis Mataj para gazetarit Artan Hoxha është takimi që shtetasi Ilir Metaj ka bërë me CEZ-in gjatë një vizite që ka zhvilluar në Çeki. Kështu, Elvis Mataj pohon para gazetarit se Ilir Meta, gjatë vizitës së punës që ka patur në Çeki, është takuar edhe me përfaqësues të CEZ. Në këtë takim ka qënë i pranishëm edhe Josef Hejsek, Kastriot Ismailaj dhe numri dy i CEZ-it Pragë. Shtetasi Elvis Mataj deklaron para gazetarit Artan Hoxha se, në këtë takim Ilir Metaj e ka prezantuar Kastriot Ismailajn si "mikun e tij”, duke i siguruar kështu mbështetjen para CEZ-it për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ (faqe 10 e vijim të Pv. datë 23 Shtator 2021);
- Në vijim të regjistrimit, Elvis Mataj deklaron para gazetarit Artan Hoxha se për mbështjen e siguruar prej shtetasit Ilir Metaj, Kastriot Ismailaj i kishte premtuar atij 1.5 milionë Euro. Kastriot Ismailaj, i kishte premtuar edhe mbështetje për zgjedhjet e vitit 2011. Lidhur me mbështetjen për zgjedhjet politike të vitit 2011, Elvis Mataj shprehet se edhe pse Kastriot Ismailaj i kishte premtuar shtetasit Ilir Meta shumën si më sipër, nuk po e mbante fjalën dhe po i fshihej shtetasit Ilir Meta dhe mund ti ketë dhënë ndonjë "lek të vogël". Ky deklarim përputhet dhe me të dhënat e përfituara nga intervista e shtetases Vojsava Ismailaj, se Ilir Metaj i kërkonte shuma parash Kastriotit.
- Në vijim të regjistrimit, Elvis Mataj shprehet se lidhur me mbështetjen për fushatën politike që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Ilir Metës, Kastrioti ka kryer pagesat 116 milionë e 800 kundrejt shoqërisë "BTT" SHPK (Agron Çelës) dhe pagesën prej 29 milionë e pesëqind shoqërisë "NEREIDA" SHPK (Arian Laçi). Sipas Elvis Matajt, këto pagesa ishin për mbështetjen që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar Ilir Metës.
Shtetasi Elvis Mataj, jep të dhëna mbi rrethanat mbi çështjen CEZ-DIA, ku para gazetarit citon edhe dëshminë e Josef Hejsek dhënë para Arbritrazhit në Vjenë, sipas të cilës ... kontraktimi i DIA-s erdhi pas një diskutimi me përfaqësuesin e METE-s ku qeveria shqiptare propozoi për të instruktuar një person i cili kishte njohuri të mira biznesi në Shqipëri, dhe në GUvijim të diskutimeve, Qazim Tepshi, pas diskutimeve me eprorin e tij ministrin Ilir Meta, rekomandoi shtetasin Kastriot Ismailaj si mbledhës borxhi (faqe 7 e vijim të Procesverbalit datë 23 Shtator 2021);
- Në vijim të regjistrimit, shtetasi Elvis Mataj deklaron mbi mënyrën sesi operonte shtetasi Kastriot Ismailaj në kuadër të sigurimit të lidhjeve apo lehtësirave mbi mbledhjen e borxheve nga DIA. Në regjistrim Elvis Mataj shpjegon mbi kujdesin që tregonte Kastriot Ismailaj në këtë drejtim, duke pohuar se ka dijeni mbi premtimet për shuma parash që Kastriot Ismailaj i kishte bërë disa personave (Sipas asaj që Elvis Mataj deklaron në regjistrim, ndër personat që Kastriot Ismailaj i kishte premtuar para ishin Ilir Metaj..... etj).
Sipas Elvis Mataj, duke qënë se Ilir Meta nuk ka marrë aq para sa ka kërkuar prej shtetasit Kastriot Ismailaj për zgjedhjet e vitit 2011, ka ndikuar apo kërkuar më pas që Kastriot Ismailajt ti shkëputeshin lidhjet dhe mbështetja nga qeveria. Këtë deklarim Elvisi e mbështet në dëshminë e Josef Hejsek i cili në Arbitrazh, sipas Elvisit, ka deklaruar se "Diku pas Majit- Qershorit 2011 Z.Ismailaj u duk se kishte humbur gjithë mbështetjen e strukturave të qeverisë shqiptare. Është e panjohur për mua nga ka ardhur ky suport, nuk e di pse. Megjithatë unë e di këtë sepse shumë ankesa kanë ardhur tek mua nga METE"/ Pamfleti
Lini një Përgjigje