
Raporti i rezervuar i Mbretërisë së Bashkuar paralajmëron fuqizimin e Ankarasë në strukturat e sigurisë shqiptare, Erdogan i gatshëm të ndëshkojë Edi Ramën...
Prej më shumë se pesë vitesh, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur nën vëzhgim intensiv Ballkanin Perëndimor përmes një task-force speciale të drejtuar nga një zyrtar i lartë i ushtrisë dhe shërbimeve sekrete britanike. Kjo task-force ka demonstruar efektivitet në rajon, sidomos gjatë krizës së Banjskës në Kosovë, ku Inteligence Service dhe forcat speciale SAS britanike luajtën një rol kyç në neutralizimin e Serbisë.
Në Shqipëri, britanikët intensifikuan rolin e tyre sapo administrata e re Trump ndërpreu fondet mbështetëse për drejtësinë e re shqiptare. Londra ndërhyri menjëherë, duke marrë përsipër mbrojtjen direkte të SPAK-ut.
Sipas një raporti të rezervuar britanik, Turqia e Erdoganit po e shtrin gjithnjë e më shumë ndikimin e saj në Ballkan përmes një politike agresive neo-otomane. Kjo është vënë re edhe në Shqipëri, ku Ankaraja ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm ndikimi që përfshin oficerë të policisë dhe ushtrisë të arsimuar në Turqi gjatë 30 viteve të fundit.
Materiali britanik thekson se Erdogan ka krijuar marrëdhënie direkte me shumë zyrtarë të lartë në Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Shqiptar (SHISH), duke e konsideruar këtë si një rrezik të mundshëm për sovranitetin dhe pavarësinë e institucioneve shqiptare.
Raporti nuk përdor tone agresive ndaj Ankarasë, duke qenë se Britania e Madhe mbetet një aleate strategjike e Turqisë në shumë çështje ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë. Megjithatë, ai e cilëson ndikimin turk në Shqipëri si shqetësues, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë ky "rrjet paralel" në stabilitetin politik të vendit.
Ndërkohë, burime të pavarura nga raporti britanik konfirmojnë se qarqe turke u kanë bërë thirrje "kardeshlerëve" brenda strukturave të policisë shqiptare që të mos përfshihen aktivisht në mbështetjen e fitores së kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme. Kjo sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e Erdoganit, i cili synon të dëshmojë fuqinë dhe influencën e tij në Shqipëri, duke i dhënë një mesazh të qartë liderit shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje