Kush është njeriu që ka përgatitur rrjetin e komplikuar të merimangës që të garantonte shpërndarjen e sigurtë të parave tek inceneratorët?
Prej kohësh ishte paralajmëruar, madje e kemi shkruar kronikën rast pas rasti në artikujt e Pamfletit. Por tani, duket se ka arritur kulmi i përleshjes së klaneve të frikshme brenda PS-së. Një përleshje që nuk ka më përjashtime goditjesh, por jemi në pikën e një lufte “vëllavrasëse” që do të çojë në eleminimin e të gjithëve, përveç fituesit.
E siç ndodh gjithmonë, shkaku janë paratë, që kësaj radhe janë shumë, po shumë para. Bëhet fjalë për të tmerrshmen aferë të inceneratorëve. Një përbindësh i krijuar për të furnizuar monstrat e pushtetit ditë pas dite, vit pas viti, deri në pafundësi.
Inceneratorët, përkatësisht tre impjantet e ndërtuar në FIer, Elbasan e Tiranë, janë afera që thithin para çdo ditë për çdo ton mbeturinash që përpunojnë. Një aferë e përjetshme, e krijuar me një logjikë perfide, që të financojë luftrat politike të PS-së për ta mbajtur atë në pushtet.
Është identike si firma “Shqiponja” e PD-së në vitet 90, që kishte në duart e saj, trafikun e paligjshëm të karburanteve drejt Malit të Zi. Ishte ajo kompani e “shtetit” por që nuk ishte e shtetit, që fitoi miliona dollarë në atë kohë nga kontrabanda me makinën e luftës së Milosheviçit.
Po paratë kush i merrte?
Atë se dinte askush, pronarët ishin fantazëm, e herë pas here dilnin emra të ndryshëm, por që realisht nuk ishin pronarët e vërtetë. Vetëm në letra. E kështu pas disa vitesh, shumë vite më pas, doli që këta pronarët e kompanisë famëkeqe Shqiponja, të marrin në duar konçensionet e shtetit shqiptar, kur kryeministër ishte Sali Berisha. Ishin këta “fantazma” që morën konçensione të tilla, si markimi i karburanteve, apo skaneri i doganave. Koncensione, që ashtu si inceneratorët sot, thithnin para ditë pas dite e vit pas viti për 10 vjet. E kështu financuan për gjithë këto vite luftën politike për të risjellë në pushtet Sali Berishën, derisa erdhi një ditë dhe SHBA e goditi, e koncensionet e mbyllën historinë e tyre. E pikërisht kur këta koncensione e mbyllën rubinetën e parave, shpërtheu përleshja në PD e ata u bënë “kashtë e koqe”.
E njëjta gjë duket po ndodh edhe me ‘binjakët’ e Sali Berishës në anën tjetër. Një vullnet i madh, shumë i madh, siç janë SHBA që me anë të SPAK ka vendosur t’ua prejë burimin e parave, natyrisht sa të jetë e mundur e pa dëme anësore, pasi janë në qeveri.
E kjo ka provokuar një përleshje të tmerrshme ku janë sulur të gjithë sipas frazës së bablokut: Kap ça të kapësh, për të marrë nën kontroll ku janë burimet e parave që nga AZHBR e deri tek bashkitë që japin leje ndërtimi.
Pasi duket që tek inceneratorët po identifikohet shumë shpejt burimi i tyre i vërtetë, pronari i tyre real.
Letrat siç mësohet janë zbuluar, letra që mund të implikojnë “Espinozën” e të gjithë aferës. Njeriut që ka përgatitur rrjetin e komplikuar të merimangës që të garantonte shpërndarjen e sigurtë të parave. E ky është Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, don Agaçio siç e thërret Berisha, e këtu ka të drejtë. Pasi, duket se ai është kryeadministratori që lëviz gjithçka.
Por edhe don Agaçio nuk është pronari i vërtetë, pasi ky i fundit është diku lart, shumë lart./Pamfleti
Lini një Përgjigje