Kontrata e votës së Diasporës u zbatua 60%, por KQZ pagoi 100% pa hetim...
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mashtruar publikisht kur deklaroi se kompania “DHL International Albania” nuk do të paguhej pa u hetuar zbatimi i kontratës për shpërndarjen dhe kthimin e zarfave me votat e Diasporës. Kjo deklaratë u bë pas denoncimeve dhe provave filmike që vërtetonin se kompania nuk e kishte përmbushur kontratën, duke dështuar në dërgimin e rreth 40% të zarfave dhe në kthimin e një pjese të konsiderueshme të tyre në Shqipëri.
Në kundërshtim të plotë me atë që deklaroi publikisht, Celibashi nuk ka kryer asnjë hetim administrativ dhe ka vijuar pagesat ndaj “DHL International Albania”, sikur kontrata të ishte zbatuar plotësisht dhe sipas destinacioneve të parashikuara.
Dokumentet e Thesarit të Shtetit faktojnë se pagesat janë kryer rregullisht, me objekt “shërbim postar për materialet zgjedhore jashtë Shqipërisë”, për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Pagesat e kryera nga KQZ për DHL-në
Më 29 shtator 2025, Celibashi ka dërguar në Thesar faturën me vlerë 557 milionë lekë; pagesa u krye më 30 shtator.
Më 9 tetor 2025, u dërgua fatura 124 milionë lekë; pagesa u krye më 13 tetor.
Më 14 tetor 2025, u dërgua fatura 550 milionë lekë; pagesa u krye më 16 tetor.
Më 15 tetor 2025, u dërgua fatura 309 milionë lekë; pagesa u krye më 16 tetor.
Më 16 tetor 2025, u dërgua fatura 345 milionë lekë; pagesa u krye më 17 tetor.
Më 28 tetor 2025, u dërgua fatura 4.87 miliardë lekë; pagesa u krye më 29 tetor.
Deri në këtë moment, pagesat e kryera arrijnë në 7.5 milionë euro me TVSH. Sipas informacionit që disponon “Pamfleti”, Celibashi ka dërguar në Thesar edhe 5 fatura të tjera, me vlerë totale 3 miliardë lekë me TVSH, të cilat finalizojnë pagesën e plotë të kontratës.

Kontrata u zbatua pjesërisht, pagesa u bë e plotë
Shërbimi i dërgimit dhe kthimit të zarfave të votës së Diasporës është zbatuar vetëm në masën 60%. Sipas ligjit dhe praktikës së prokurimeve publike, KQZ duhej të paguante vetëm për këtë volum shërbimi të realizuar.
Në vend të kësaj, Ilirjan Celibashi ka autorizuar pagesën 100% të kontratës, duke ngritur dyshime serioze për përfshirje në aferë korrupsioni me pronarin e “DHL International Albania”, Qirjako Koçollari.
Bazuar në numrin real të zarfave të dërguara dhe tarifën për transport ajror, kostoja reale e shërbimit ishte rreth 6.5 milionë euro. Megjithatë, Celibashi e caktoi vlerën e kontratës në 11 milionë euro me TVSH, pra 4.5 milionë euro më tepër, duke ia dhënë kompanisë tenderin pa garë ofertash.
Katër muaj më parë, “Pamfleti” paralajmëroi skemën e ndjekur nga Celibashi, me hetim të simuluar dhe pagesa të planifikuara për t’u kryer në masë të plotë brenda vitit 2025. Dokumentet e Thesarit tregojnë se paralajmërimi ishte i saktë.
Ky rast ngre pikëpyetje të rënda për integritetin e procesit zgjedhor, për përgjegjësinë penale të drejtuesit të KQZ-së dhe për mënyrën se si fondet publike janë përdorur nën petkun e votës së Diasporës./Pamfleti
A mund te japi Dorchester ilirjan celibashi