TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Dhjetor 2025, 14:47

Buxheti për Tiranën, Veliaj i “hap luftë” Ramës: Çdo dëgjesë publike pa kryetarin është jolegjitime

Shkruar nga Pamfleti
Buxheti për Tiranën, Veliaj i “hap luftë” Ramës:
Veliaj dhe Manastirliu

Të enjten në orën 12:00, Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e vitit 2026, por vetëm pak orë më parë, në orën 18:00 të së mërkurës, e deleguara e Edi Ramës, Ogerta Manastirliu ka thirrur këshilltarët bashkiakë të majtë në selinë e Partisë Socialiste për të diskutuar pikërisht buxhetin e kryeqytetit.

Ky veprim konsiderohet nga shumë si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike në kompetencat e pushtetit vendor, në një kohë kur Manastirliu nuk mban asnjë funksion drejtues në Bashkinë e Tiranës dhe nuk është zgjedhur nga qytetarët si kryebashkiake.

Ndërkohë kryebashkiaku Erion Velaij i ka dërguar një letër Këshillit të Bashkisë që të merret mendimi i tij si kryetar përpara votimit.

Veliaj thotë se buxheti për 2026 duhet të reflektojë prioritetet për atë të cilën e kanë votuar qytetarët.

Në letër, kryebashkiaku Veliaj thekson se sipas ligjit, ata duhet të marrin mendimin e tij, pasi miratimi pa konsultim me Kryetarin e Zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim i realizimit të mandatit të tij demokratik.

"Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.

Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.", thotë Velaij.

Ogerta Manastirliu u shpall kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës pas vendimit të Këshillit Bashkiak për të propozuar shkarkimin e Erion Veliajt. Edhe pse ky propozim u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe u hodhën hapat për zgjedhje të parakohshme, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi procesin, duke rikthyer Veliajn në detyrë dhe duke shfuqizuar zgjedhjet.

Pavarësisht këtij vendimi, Manastirliu aktualisht deputete e PS-së  ka vijuar të sillet si kryetare “de facto” e Bashkisë së Tiranës. Në javët e fundit, ajo ka marrë pjesë aktive në takime për buxhetin, ka drejtuar diskutime me qytetarë dhe është prezantuar si figura politike që udhëheq procesin, duke u konfirmuar nga mazhoranca si kandidate në çdo moment që mund të zhvillohen zgjedhje.

Që më 24 nëntor, Manastirliu ka udhëhequr publikisht dëgjesa për buxhetin në zona si Lapraka dhe Kashari, duke folur dhe vepruar sikur të ishte një kryebashkiake e zgjedhur, ndërsa përfaqësuesit zyrtarë të bashkisë qëndronin në plan të dytë. Kjo praktikë është legjitimuar politikisht edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka prezantuar Manastirliun si drejtuese politike të procesit.

Ekspertë të pushtetit vendor e kanë cilësuar këtë situatë si shkelje të hapur të Kushtetutës, ligjeve për vetëqeverisjen vendore dhe Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore. 

Pavarësisht kritikave dhe pyetjeve publike, Ogerta Manastirliu nuk ka dhënë sqarime se mbi çfarë baze ligjore drejton këto takime dhe ndërhyn në procesin e buxhetimit të Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa Këshilli Bashkiak pritet të votojë buxhetin 2026, përfshirja e drejtpërdrejtë e një kandidateje të pavotuar në këtë proces po shihet gjithnjë e më shumë si një precedent i rrezikshëm, një bashki e drejtuar politikisht nga jashtë, në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës.

Letra e plotë e Veliajt:

Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.

Më datë 18 dhjetor, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës.


Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/12015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar,  kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.

Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.

Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.

Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:

1.            Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;

2.            Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;

3.            Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.

Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht. Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht faktit se ekziston tashmë një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte objektivisht faktin se Kryetari i zgjedhur i Bashkisë po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze jo vetëm për qeverisjen vendore, por edhe për rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes.

 

veliaj dhe manastirliu bashkia e tiranës

Lini një Përgjigje