Gazetari Blendi Fevziu ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve vendore 2023.
Duke krahasuar opozitën dhe mazhorancën, Fevziu tha se me bashkitë e fituara, “Bashkë Fitojmë” administron rreth 100 mijë persona krahasuar me 2.7 milionë që administron Partia Socialiste. Në këndvështrimin e Fevziut, Partia Demokratike ka nevojë të jetë e hapur ndaj palëve që janë të gatshëm për të bërë opozitë si dhe për një analizë të thellë.
Sipas një studimi të ri, shton Fevziu, 18% më shumë të rinj anojnë majtas dhe Partia Demokratike është treguar e ftohtë ndaj tyre duke mos u përpjekur t’i afrojë. Në analizën e gazetarit, forca e djathtë do të varet nga reagimi i saj gjatë 4 javëve të ardhshme.
"Partia Demokratike ka vetëm jetike këtë gjë: ka një 4-javësh, një muaj që të shohë të vërtetën në sy, të ndërtojë një strategji që të jetë gati për zgjedhjet e 2025. Në qoftë se do ta shtyjë çështjen siç bëri Basha në 2021 dhe tha beteja tani fillon dhe bëri një kongres ku e duartrokitën të gjithë dhe tha tani ne të vazhdojmë ajo pastaj të çon në këtë situatë sepse këtu ku është PD sot nuk është vetëm situata e sotme.", tha ai.
Sa i përket Sali Berishës, Fevziu u shpreh se është në momentin kur duhet ta shohë të vërtetën në sy dhe nëse mundet, të sforcohet për të hapur dhe çuar përpara partinë.
"Berisha ka momentin e tij historik ta shohë të vërtetën në sy dhe të marrë një vendim. Natyrisht që në kushtet e krijuara në PD nuk ka një zgjidhje pa Berishën por Berisha duhet ta shohë të vërtetën në sy, të kuptojë rezultatin, të lexojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të bëjë një sforcim të fundit nëse ai ka mundësi ta hapë dhe ta çojë këtë parti përpara.
Në të kundërt 2025 është shumë afër dhe si sot, si nesër do jetë një katastrofë që ai nuk do ta shmangë dot dhe prapë do jetë fundi i tij politik. Pra ka ende një periudhë kohe që të riorganizojë partinë nëse mund ta bëjë këtë por me një kusht, partia ka nevojë për njerëz dhe fytyra të reja. Partia ka nevojë për imazhe të reja, partia ka nevojë për njerëz që besojnë, partia ka nevojë të mbështetet në teza reale të së djathtës.", tha gazetari.
Lini një Përgjigje