
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur për herë të parë Athinës për sulmet mbi arrestimin e Fredi Belerit. Edhe pse sipas tij janë retorika që bëhen për fushatë, duke qenë se në Greqi ka zgjedhje, Rama u shpreh se ndërhyrja e Greqisë është e patolerueshme. Ai u shpreh gjithashtu se askush nuk mund të ndërhyjë te drejtësia shqiptare dhe aq më pak një shtet i huaj.
“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës, duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime dhe ana jonë, sepse kemi bërë punë të jashtëzakonshme së bashku me qeverinë greke, kryeministrin, ministrin e Jashtëm për të ngritur një urë të re bashkëpunimi dhe për ta çuar në nivel tjetër raportin me Greqinë. Unë jam i vendosur të bëj maksimumin përpara se të jem i detyruar të reagoj profesionalisht. Dua po ashtu të theksoj se institucionet e drejtësisë mund të kenë të metat e tyre, por askush, që nga unë i pari që jeni dëshmitarë që nuk i kam kontestuar vendimet e tyre, e jo më të tjerë, dhe lë pastaj nga jashtë të vënë në pikëpyetje e presion. Dua të kujtoj se 2 a 3 ditë para regjistrimit të kandidatëve policia ka arrestuar një kryetar bashkie dhe kandidat me shumë gjasë të PS në Bulqizë. Për një çështje dhe me një akuzë që nuk e njoh në thelb. As më ka shkuar mendja të ngre zërin dhe t’i kërkoj prokurorisë apo gjykatës të nxjerrë provat se kështu dua unë dhe kur dua unë. As më ka shkuar mendja të vë në diskutim punën dhe rolin e tyre dhe nuk më shkon. Besoj që nuk ka asnjë mundësi që do të pajtohemi me idenë se ka drejtësi tjetër për qytetarët me kombësi shqiptare dhe ata me kombësi greke. Është e njëjta drejtësi”, tha Rama.
Fredi Beleri u arrestua për blerje votash, por kjo nuk e ndaloi të merrte fitoren sot. Madje Rama u shpreh i zhgënjyer dhe me reagimet e opozitës greke, ku tha se nuk i kupton sulmet e partive simotra si SYRIZA dhe PASOK. Ai tha se minoriteti nuk mund të përdoret si “mish për top”.
“Kam dëgjuar shumë dhe vendosa të mos flas. Nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, duke shpresuar se do ketë dialog dhe jo deklarata të cilat i kam dëgjuar të bëhen jo vetëm nga qeveria greke, por dhe parti të opozitës. Parti simotra si SYRIZA apo PASOK. Keqardhje e madhe sepse besoj se minoriteti grek nuk është mish për top për asnjë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje