Duket se sot me Pavel Durov, jemi në një pikë kritike të provokacionit perëndimor në këtë rast, por edhe testimit të nervave dhe kapaciteteve të Vladimir Putin...
Ishte agjencia ’Reuters’ që publikoi lajmin e para, për arrestimin në Francë, të Pavel Durov, themeluesit dhe CEO-s së Telegram, me shtetësi të dyfishtë ruse dhe franceze.
Sipas TF1, arsyeja e arrestimit është mungesa e moderimit dhe bashkëpunimit të kreut të Telegram për të treguar se pse përdor shkëmbime monetare të pasigurta në platformë.
Në atë ç’ka ndodhur deri tani, arrestimi i kreut të Telegram nuk është një zhvillim normal gjyqësor. Pra që gjendet i ndaluar deri në zhvillimin e procesit. Duket më shumë një operacion i shërbimeve sekrete, siç e thonë edhe mediat botërore.
E këtu nis gjithçka, pasi versione të ndryshme po qarkullojnë; nga marrja peng, arratisja e fshehtë, por që të gjitha kanë një rezultante: Perëndimi ka nga sot kyçet e serverave të një prej rrjeteve më të rëndësishme të botës.
’La Repubblica’ shkon më tej, kur e konsideron këtë ngjarje si një operacion luftarak, pasi Telegram zotëron servera të rëndësishëm të luftës hibride të Moskës por edhe më tej.
Telegram është rrjeti social më i përdorur, jo vetëm në Rusi, por thuajse në të gjithë Azinë, përfshirë Kinën e Indinë. Me një fjalë është një fuqi e madhe teknologjike dhe propagande.
Prej disa vitesh tashmë, platformat sociale nuk janë gjë tjetër veçse komponente shtesë shtetërore. Mjaft të kujtojmë vitin 2016, kur FBI detyroi Apple të kishte akses në serverat e saj pas masakrës së San Bernardino.
Prej asaj kohe, kompanitë teknologjike janë pjesë e një rrjeti të kontrolluar nga qeveritë në të gjithë botën.
Madje edhe Encrochat, një sistem mesazhesh i koduar i përhapur në botën kriminale evropiane dhe i çmontuar nga një hetim franko- holandez, pati të njëjtin fat.
Të ashtuquajturat Encro-Phone nuk u kufizuan vetëm në ekzekutimin e aplikacioneve për shkëmbimin e mesazheve dhe thirrjeve të koduara nëpërmjet një rrjeti serverësh të pronarit, por u modifikuan edhe fizikisht me heqjen e GPS-së dhe portave të të dhënave, duke bllokuar gjurmimin. Por edhe ata porta, një ditë u shqyen e sot bota është në dilemë për sigurinë e të drejtave të individit.
Arresti i kreut të Telegram po konsiderohet nga mediat europiane si një ngjarje e rëndë, pasi të nëjtin funksion e luajnë edhe homologët e tij amerikanë apo kinezë. Përkatësisht kreu i Facebook, Truth, apo Tik Tok.
Madje kreu i platformës X dhe i komunikimit satelitor Starlink Elon Musk, është edhe njeriu që siguroi Ukrainën me komunime të sigurta që në fillimin e luftës.
Mediat europiane sot po shkruajnë se është koha që të ndahet ’shapi nga sheqeri’ se ku nis e ku mbaron e drejta dhe detyrimi i shtetit për të kontrolluar gjithçka.
Në gazetat kryesore europiane, po tentohet të justifikohet arrestimi i Pavel Durov me ndikimin e tij në botën kriminale, por duket se gjithçka është pjesë e një propagande lufte.
Moska e konsideron rrëmbim dhe i ka bërë të ditur Parisit se nëse nuk e liron do të ketë reagim të menjëhershëm.
Prej dy vitesh tashmë bota është totalisht e ndarë dhe e polarizuar sa i përket teknologjisë. Perëndimi përdor vetëm META, X e Starlink; Lindja Telegram.
E vetmja platformë që ka arritur të dominojë tregun global është tik- tok, të cilin qeveritë perëndimore duan ta ndalojnë, por nuk e bëjnë dot sepse ju sjell miliona në kasat e tyre.
Duket se sot me Pavel Durov, jemi në një pikë kritike të provokacionit perëndimor në këtë rast, por edhe testimit të nervave dhe kapaciteteve të Vladimir Putin.
Ndërkaq, Die Welt, gazeta gjermane e lidhur ngusht me BND-në hedh hije se arrestimi i Durov është një mizanskenë, pasi ky i fundit ka marrë strehim në Francë për t’u larguar nga Rusia. Në qoftë kështu, a i ka sot Perëndimi serverat e komunikimit të luftës hibrite të Moskës nëpërmjet këtij gjigandi, i cili nuk është gjë tjetër veçse një krijesë e FSB-së ruse?/Pamfleti
Lini një Përgjigje