TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Gusht 2024, 13:23

Hezbollahu, një “kafshatë” e fortë për Jeruzalemin, raketat e saj arrijnë në çdo qytet izraelit

Shkruar nga John Lyons
Hezbollahu, një “kafshatë” e fortë për
Hassan Nasrollah i Hezbollahut dhe Ayatollah Khamenei /

Tani të gjithë sytë duhet të jenë tek Udhëheqësi i Lartë i Iranit, Ayatollah Khamenei. Papritur, ai është një nga njerëzit më të fuqishëm në botë...

Me vrasjen në Iran të udhëheqësit më të lartë politik të Hamasit, Ismael Haniyeh, është më i afërt se kurrë skenari që kanë dashur të shmangin të gjithë lojtarët kryesorë: një luftë në shkallë të gjerë midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara i kanë ndjerë reagimet e forta kritike në lidhje me mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep luftës së Izraelit në Gaza, si ndërkombëtarisht ashtu edhe brenda vendit. Izraeli nuk ka dashur një luftë në shkallë të gjerë, pasi e di shumë mirë se Hezbollahu është një makineri luftarake shumë më e fortë dhe e frikshme se Hamasi.

Në vitin 2006, Izraeli zhvilloi një luftë të shkurtër ndaj Hezbollahut, e cila nuk shkoi mirë.

Një raport zyrtar izraelit - raporti i komisionit Winograd - theksoi më vonë se Izraeli nuk e fitoi dot atë luftë. Ai përmend disa faktorë kyç për atë dështim:së pari, terreni në Libanin jugor është shumë më i vështirë për të zhvilluar një luftë sesa enklava e sheshtë dhe e vogël e Gazës.

Hamasi dhe Rripi i Gazës

Zyrtarisht i konsideruar si një grup terrorist nga SHBA-ja dhe shumë vende perëndimore, Hamasi e kontrollon Rripin e Gazës që kur mposhti forcat e lëvizjes tjetër palestineze, Fatah, gjatë një lufte të shkurtër civile në vitin 2007.

Për më tepër, Hezbollahu si milici është trajnuar, pajisur dhe armatosur nga Irani. Ndërsa disa raketa iraniane shkojnë ende për Hamasin, bllokada e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti e ka reduktuar sasinë e armëve që hyjnë aktualisht në Gaza. Por me Hezbollahun, nuk ka një kufizim të tillë.

Ky grupim militant, kontrollon de fakto aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit libanez Bejrut. Kjo do të thotë se aeroplanët e ngarkuar me armë mund të fluturojnë nga Irani në çdo kohë. Dhe kështu ndodh. Përveç kësaj, luftëtarët e Hezbollahut janë shumë më me përvojë dhe profesionistë.

Një nga arsyet pse presidenti sirian Bashar Al-Assad, ishte në gjendje të shtypte rebelimin e brendshëm, të nxitur pjesërisht nga grupet e milicisë myslimane sunite, është ndihma e madhe që mori nga luftëtarët myslimanë shiitë të Hezbollahut.

Ata e mbështetën Assadin që të fitonte, por në këtë mënyrë fituan edhe vetë një përvojë luftarake shumë të rëndësishme. Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, arsenali i raketave që zotëron Hezbollahu është vërtet i frikshëm. Vlerësimet e besueshme të shërbimeve sekrete izraelite por edhe ato amerikane, tregojnë se numri i raketave që ka Hezbollahu në Libanin jugor - afër kufirit me Izraelin - është midis 120.000 dhe 150.000.

Dhe sado i mirë që është sistemi më i avancuar anti-ajror “Iron Dome” (Kupola e Herkurt) i Izraelit, ai nuk mund të përballonte 20.000 apo 30.000 raketa të lëshuara njëkohësisht. Dhe në përgjithësi, raketat e Hezbollahut janë më vdekjeprurëse se sa ato të lëshuara nga Hamasi.

Dihet tashmë se Hezbollahu është i pajisur me sasi të mëdha raketash “Farj” të prodhuara nga Irani, të cilat kanë një rreze shumë më të madhe se shumica e atyre të përdorura nga Hamasi në Gaza. Realiteti, të cilin ekspertët e inteligjencës izraelite ma kanë konfirmuar vetëm kohët e fundit, është se arsenali i raketave të Hezbollahut mund të arrijë në çdo qytet në Izrael.

Dy zhvillimet që i përshkallëzuan tensionet

Por as Hezbollahu nuk ka dashur deri më sot një luftë në shkallë të gjerë kundër Izraelit. Ekonomia e Libanit është në krizë të thellë, pasi është goditur nga numri i madh i refugjatëve nga Siria, pandemia e Covid-19 si dhe shpërthimi i jashtëzakonshëm në portin e Bejrutit disa vite më parë, që e shkatërroi besimin e të huajve tek ky vend.

Libanezët kanë dëgjuar kërcënime të ndryshme nga Izraeli, për “t’i shkaktuar Bejrutit, atë që i kemi bërë Gazës”, dhe i njohin shumë aftësitë ushtarake të Izraelit. Por dy zhvillime të reja, i kanë përshkallëzuar në mënyrë dramatike tensionet tashmë ekzistuese, dhe nënkuptojnë se logjika dhe interesi vetjak mund të kapërcehen nga fanatizmi.

E para ishte shënjestrimi në Bejrut i komandantit ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr.

Izraeli pretendon se e ka vrarë, edhe pse ende nuk ka asnjë konfirmim. Shukr ishte këshilltari i lartë ushtarak i Sheikh Hassan Nasrallah, drejtuesit kryesor të Hezbollahut.

Një goditje në këtë nivel, do të detyrojë Hezbollahun të mendojë se si të kundërpërgjigjet në një mënyrë shumë agresive. Dhe pastaj është vrasja e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh. Haniyeh gjendej në Iran për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri iranian, Masud Pezeshkian.

Dhe një ditë para se të vritej, takoi Udhëheqësin e Lartë të Iranit, Ayatollah Khamenein. Haniyeh jetonte në Katar dhe jo në Gaza, me bekimin e SHBA-së, që e kuptuan se ai ishte më i sigurt në Doha sesa në Gaza. Uashingtoni gjykonte se ishte e dobishme të kishte kontakte me Hamasin përmes Haniyeh.

Në fakt, pengjet izraelitë në Gaza u liruan vetëm pas marrëveshjeve të negociuara midis Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Katarit dhe Haniyeh. Por është e qartë se në Iran ai nuk kishte asnjë mbrojtje si ajo që gëzonte në Katar.

Udhëheqësi i Iranit, është bërë befas më i fuqishëm

Tani dinamika kryesore, do të varet nga kundërpërgjigja e Iranit. Hezbollahu nuk do të shpallë një luftë të plotë ndaj Izraelit pa miratimin e Teheranit. Por një skenari i tillë do të kishte pasoja katastrofike për Izraelin, Libanin dhe Iranin.

Në aspektin ushtarak, Izraeli, me ndihmën e Uashingtonit, ndoshta do ta “fitonte” një luftë të tillë në shkallë të gjerë. Por do të vdisnin mijëra civilë, dhe të tre vendet do të dëmtoheshin rëndë në aspektin e gjithë infrastrukturës. Tani të gjithë sytë duhet të jenë tek Udhëheqësi i Lartë i Iranit, Ayatollah Khamenei. Papritur, ai është një nga njerëzit më të fuqishëm në botë./Përshtati Pamfleti nga “Abc”

hezbollah jeruzalem kafshatë e fortë izrael

Lini një Përgjigje