
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili po hetohet nga SPAK.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Rama tha se nuk komenton raste individuale. Rama theksoi gjithashtu se jo çdokush që po hetohet është fajtor.
Kryeministri tha më tej se gjyqet nuk bëhen në media, por në proceset ligjore dhe kushtetuese.
“Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese”, tha kryeministri.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cënon kjo imazhin e Partisë suaj?
Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.
Zëri i Amerikës: Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të politikës dhe jetës publike. Kështu që, detyrimi është për të marrë një opinion nga ju.
Kryeministri Rama: Opinioni im dihet. Është i njohur botërisht. Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet.
Lini një Përgjigje