Një strategji e qartë e Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll zonat kyçe elektorale duke përdorur figura që kanë treguar besnikëri absolute ndaj tij

Ardi Veliu, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sapo është riaktivizuar politikisht si koordinator elektoral i Partisë Socialiste në Vlorë për zgjedhjet e 11 majit 2025. Ky emërim, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe reagime të forta nga opinioni publik dhe opozita.
Në vend që të mbahet larg politikës pas një karriere të mbushur me skandale, Veliu rikthehet për të mbledhur vota për partinë që e promovoi pavarësisht kritikave.
Ardi Veliu tani është caktuar si koordinator zgjedhor që do të sigurojë vota në Vlorë, një qark që historikisht ka qenë bastion i Partisë Socialiste. Por për shumë qytetarë, ky nuk është një lajm i mirë. Emërimi i tij shihet si sinjal i qartë se PS nuk ka ndërmend të luajë 'pastër' në zgjedhje, por do të përdorë çdo mjet për të mbajtur pushtetin.
A është e rastësishme që një njeri me një histori të tillë vendoset pikërisht në një qark kyç si Vlora? A mos është ky një tjetër paralajmërim se shteti do të përdoret si makinë votash?
Ky emërim nuk është rastësi. Është një strategji e qartë e Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll zonat kyçe elektorale duke përdorur figura që kanë treguar besnikëri absolute ndaj tij. Ardi Veliu nuk është një zyrtar i zakonshëm, por një nga ata që janë të gatshëm të shkelin çdo kufi për të arritur objektivin politik të ditës.
Në një vend normal, pas një historie të mbushur me skandale, Veliu do të ishte tërhequr nga jeta publike. Por në Shqipëri, ai shpërblehet me një rol akoma më të rëndësishëm. Kjo është arsyeja pse besimi i qytetarëve tek institucionet po vjen gjithnjë e më shumë në rënie.
A do të pranojnë vlonjatët një ish-drejtor policie që ka dëshmuar se lojaliteti ndaj partisë është më i rëndësishëm se shërbimi ndaj qytetarëve? Kjo mbetet për t’u parë.
Por një gjë është e sigurt: emërimi i Ardi Veliut si koordinator elektoral është një tjetër goditje për demokracinë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje