TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2024, 10:29

Gënjeshtra e “betimit” të Fredi Belerit në Strasburg

Shkruar nga Pamfleti
Gënjeshtra e “betimit” të Fredi Belerit në Strasburg
Fredi Beleri

Ditën e sotme lajmi kryesor në mediat shqiptare dhe ato greke është “betimi” i Fredi Belerit si eurodeputet i PE, në Strasburg.

Në fakt, Fredi Beleri nuk do të bëjë ndonjë betim pasi nuk ka asnjë procedurë betimi në Parlamentin Europian.

Ata konsiderohen si eurodeputetë në momentin që institucioni qe menaxhon zgjedhjet ne vendet anëtare të BE (në rastin e Greqisë, Ministria e Brendshme) lajmëron Parlamentin Europian (sekretariatin) për listën e fituesve.

Pra Beleri shkon në Strasburg si gjithë të tjerët dhe fillon merr pjesë në punimet e Parlamentit.

Por s’ka asnjë procedurë betimi, ndryshe nga se përpiqen te paraqesin grekët.E vetmja gjë që do bëjë, është deklarimi i aseteve dhe llogarive bankare.

Beleri sot në mëngjes ka lënë ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka miratuar një leje 5-ditore për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian.

Ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga familjarët dhe makina e ambasadës greke. Beleri nuk është prononcuar për mediat vendase, por shkurtimisht ka folur për mediat greke që e presin në dalje të burgut.

“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri për mediat greke.

Beleri udhëton së bashku me eurodeputetët e tjerë nga Athina drejt Strasburgut, ku më 16 Korrik do të bëjnë betimin. Sipas lejes së miratuar, ai ka kohë deri në orën 16:00 të 20 Korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Drejtoria e Burgjeve ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje dhe akomodimin në hotel. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor pasi u arrestua nga policia 2 ditë para zgjedhjeve të 14 Majit 2023. Në javën e parë të Qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.

fredi beleri strasburg

Lini një Përgjigje