Prej disa ditësh në mediat ndërkombëtare si Bloomberg dhe New York Times janë raportuar për planet për investime të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Kushner po planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më tani vetëm si një bazë ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës “Aman”.
Por gazetarja Fatjona Mejdini ka denoncuar se në “Aman Group” rezulton të jetë emëruar në vitin 2022 si drejtor global për çështjet e sigurisë Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së.
Ky i fundit është dënuar nga Gjykata federale e Washington-it për lidhjet me Rusinë dhe korrupsionin për llogari të qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, ajo thekson se rrjeti i hoteleve “Aman” drejtohet nga oligarku rus, Vladislav Doronin.
“Çfarë ju kujton emri Charles McGonigal?!
Pas një kërkimi shumë të thjeshtë online më rezulton se në 2022-shin është emëruar si drejtor global për çështjet e sigurisë në Aman Group.
Në fakt kjo është dhe kompania që sipas Bloomberg do të investoj në eko-hotelin luksoz në Sazan.
Për më tepër rrjeti i hoteleve Aman drejtohet nga i ashtuquajturi oligarku rus, Vladislav Doronin.
Ky i Sazanit duket një projekt shumë ambicioz vërtet…”, shkruan gazetarja në rrjetet sociale.
Për investimin e dhëndrit të Donald Trump, në ishullin e Sazanit të njëjtën denoncim ka bërë edhe gazetari Klodian Tomorri.
‘Fije që priten, Jared Kushner deklaroi se në Sazan planifikon të ndërtojë një resort të brandit Aman.
Aman Resorts zotërohet nga Vladislav Doronin, një oligark i lindur në Rusi, tashmë me nënshtetësi suedeze dhe zviceriane.
Doronin është njeriu që punësoi Charles McGonigal si shef sigurie te Aman Resorts, sapo ky i fundit u tërhoq nga FBI. Ditën që McGonigal u arrestua në aeroport ishte duke u kthyer nga Sri Lanka, ku kishte inspektuar resortet e grupit Aman atje.
Fijë që priten. Tani misteri është; kush është Sami Ameni?
Si e thotë ai tek filmi, i gjatë, i hollë dhe me pak kurriz të dalë’, shkruan Tomorri.
Vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme në Asamblenë e PS në Durrës, se negociatat me Jared Kushner, janë serioze.
Kritikat e kundërshtarëve politikë dhe shoqërisë civile se po ia dhuron Sazanin privatit, nëpërmjet ndryshimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, Rama i cilësoi delirime të atyre që i pengon hija e ish-Presidentit amerikan.
“Këto ditë, Kushner, një sipërmarrës, amerikan dhe dhëndri i ish-presidenti Trump shpalli publikisht ambientin për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shembuj të paarritshëm për investime në turizëm dhe për investime të huaja direkte, sot flasim për rrezikun që i kanosët Sazanit nga kthimin në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan, i pengon ata më gojështhururit t’i bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit. Me gjasë zbulojnë me rregull 3 si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura! Balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufirit të Shqipërisë për të kontribuar, e bëjnë Shqipërinë të duket qesharake.”, tha Rama.
Lini një Përgjigje