TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Gusht 2023, 17:05

Çfarë ndodhi në qeveri: Pse Taulant Balla ia prishi surprizën Edi Ramës?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë ndodhi në qeveri: Pse Taulant Balla ia prishi
Edi Rama dhe Taulant Balla

Gati një javë përpara mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Taulant Balla, në një konferencë shtypi i vetëm pas mbledhjes së qeverisë, ka lënë të kuptohet se do të vijojë të jetë ministër i Brendshëm edhe pas të hënës...

Nuk kishte ndodhur më parë, të paktën në rastet kur janë paralajmëruar ndryshime në qeveri, që Edi Ramës, dikush do t’ia diktonte qenien në qeveri.

Ka pasur raste në të shkuarën kur Kryeministri ka emëruar ministra, madje pa folur paraprakisht me ta. Siç ka deklaruar disa vite më parë Elisa Spiropali, e cila u emërua pa e ditur, e lajmin e mori vesh në media. Këtë mënyrë, vetë Rama në një intervistë te Fevziu e quajti normale, pasi qeveria sipas tij nuk është restorant dhe ministrat nuk mund të refuzojnë.

Mirëpo të mërkurën ndodhi një ngjarje që e prishi këtë rregull. 

“Në dhjetor do të ndikoj që të ketë një tjetër rritje page për policinë”, tha Balla, duke bërë të ditur indirekt se ai nuk do të lëvizë nga rikompozimi i kabinetit.

Një deklaratë që thuajse nuk u analizua nga mediat, të cilat u morën më shumë me çështjen e sigurisë së kreut të SPAK, Altin Dumani.

Në thelb, deklarata e Ballës ishte jo e zakontë, pasi në një farë mënyre i mori kompetencë kryeministrit që bën konfigurimin e qeverisë.

Si ka mundësi që Balla ta bëjë këtë deklaratë, krejt të pazakontë për ministrat e Edi Ramës?

A e ka dhënë Balla këtë deklaratë pa u konsultuar me Edi Ramën?

Vështirë që të ndodhë një gjë e tillë, pasi do të merrej vesh nga mënyra e komentit apo lëvizjeve të mediave pranë kryeministrit.

Po atëherë përse Balla doli vetëm në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë?

Mesazhi u dha i qartë; derisa ministrat e tjerë nuk kanë dalë, ose janë njoftuar se mund të mos konfirmohen e nuk kanë pasur dëshirë që të jenë më dekor, ose i është dhënë urdhri për këtë.

Qëllimi ka qenë, për të shpërndarë mesazhin tek grupet që mbështesin Taulant Ballën, se ai do të vijojë të jetë ministër i Brendshëm.

Kjo pasi kohët e fundit ka pasur mjaft presione nga të fortit që e kanë sponsorizuar ish-kreun e grupit për të marrë postin më të rëndësishëm të qeverisë.

Sidomos pas fjalëve që kanë qarkulluar për listën e 10 ‘Non Grata’-ve nga Britania e Madhe që ekzistojnë brenda grupit parlamentar të mazhorancës. Ende për emrat ka mjaft spekulime, por siç mësohet në fillim  të javës së ardhshme, ndoshta para mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ata të bëhen publike nga diplomatët britanikë në Tiranë.

A mund të ndodhë që Rama të konfirmojë njerëzit në qeveri, edhe pse janë në listën e zezë të SHBA dhe Britanisë së Madhe?

Nëse kjo do të ndodh, atëherë do të merret vesh që të martën, kur është planifikuar që kryeministri të udhëtojë për SHBA.

Nëse vizita anulohet apo shtyhet, ai e ka prishur paktin e tij me Perëndimin, e rrëzimi i kësaj qeverie është thjesht çështje kohe./Pamfleti

edi rama taulant balla qeveria surpriza

Lini një Përgjigje