
Rama i hap derën projektit të dhëndrit të Trump, kapërdin akuzat e dikurshme dhe tenton të tregojë se nuk ka gisht McGonigal me këtë projekt...
Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë mbi planet e dhëndrit të Donald Trump për të investuar në vendin tonë. Kryeministri paralajmëroi se procesi ka avancuar dhe me gjasë shumë shpejt Sazani do të hiqet si zonë ushtarake.
I ftuar në “Opinion”, Rama kapërdiu akuzat ndaj Donald Trump. Dikur çfarë nuk tha për të, ndërsa sot kur u pyet se a bëhet ky investim për të qetësuar raportet me ish-presidentin, nëse ai rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Rama tha se i ka mirë raportet me të.
“Unë kam një të mirë që është dhe e keqe. Varet si e sheh. Unë thashë atë që mendoj dhe mendoj atë që them. Kam thënë atë që kam menduar në atë kohë kur Presidenti apo kandidati atëherë u bë President këta të gjithë e festuan sikur kishin ardhur këta në pushtet. Se tani ne nuk heqim dot këtë dhe na i heq ai atje. Unë s’kam raport për të rindërtuar me ish-Presidentin Trump dhe e kam pasur raportin shumë të mirë dhe s’kam pse të kërkoj raport të ri”, tha ai.
Nga ana tjetër, Rama tentoi mos përziejë ish-mikun e tij, Charles Mcgonigal. Ky i fundit del te kompanitë dhe personat që do të investojnë në Sazan. Por, Rama deklaroi se Trump e ka shpallur atë armik dhe nuk ka gjasa që të jetë dora e tij.
“Trump ka thënë për të u kalbsh në ferr. Teoria e konspirocionit këtu është se falë meje, apo unë e kam bindur dhëndrin e Trump dhe McGonigalin dhe ai ka vendosur të bashkëpunojë”, tha ai.
Duke folur për Sazanin, nëse projekti realizohet, Kryeministri shprehet se ky ishull do të shndërrohet në xhevahirin e turizmit në Mesdhe.
“Po ndodh ajo që po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e Presidentit Trump. Ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit. Zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin nga ky grup për të bërë në Sazan një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e paraardhësve të mi, kemi pasur 3-4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj që i kemi refuzuar ne, sepse nuk kanë qenë qasje të përputhura me atë që ne mendojmë, dhe në këtë rast shpresojmë që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar, një destinacion turistik, i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe që të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit në botë. E vë Shqipërinë në nivelin më të lartë që disponojnë të tilla adresa në perimetrin e tyre dhe i sjellë Shqipërisë një burim të ri të ardhurash për shqiptarët, për buxhetin e shtetit, për ekonominë tonë”, tha ai.
Kryeministri thekson se nëse realizohet ky investim në Sazan, do të sjellë turizmin e nivelit më të lartë botëror, çka përkthehet në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.
“Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që është një turizëm që ndryshe nga turizëm masiv, nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion. Qëllimi është të marrim shkas nga të gjitha zhvillimet e tjera dhe të bëjmë një zhvillim që të jetë një shembull se si investohet në harmoni me natyrën dhe krijohet një impakt ekonomik shumë më i fortë”, deklaroi Kryeministri Rama.
Lini një Përgjigje