TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Tetor 2025, 15:47

Ethet shpërthyese në Shkodër që mund të provokojnë krime të tjera

Shkruar nga Pamfleti
Ethet shpërthyese në Shkodër që mund të provokojnë
Shkodra /

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, qyteti përballet me një tjetër rrezik; ethet e ndërtimit që kërcënojnë ta shndërrojnë Shkodrën në një katrahurë…

Vrasja barbare e gjyqtarit Astrit Kalaja, përtej aspekteve kriminale, zbulon një prapaskenë të rrezikshme: një epidemi që po përhapet si virus në Shkodër.

Kjo epidemi ushqehet nga lart; peshkaqenët e krimit, oligarkët, sekserët dhe politikanët, dhe quhet epidemia e ndërtimit të kullave. Shpërthimi i interesave të zhvillimit ka nxitur ‘ethet e arit’: po piketohen tashmë parcelat për ndërtim dhe po lindin konflikte shoqërore e pronësore.

Një prej këtyre piketimeve ishte konflikti rreth rezervave, që u shndërrua në një ‘mollë sherri’ mes banorëve që kërkonin tapitë dhe të drejtën e pronësisë. Kjo ka qenë një “minë me sahat” dhe Shkodra e provuar në mënyrë dramatike tregoi sa shkatërruese mund të jetë një përplasje e tillë. Përveç dëmit estetik që i shkaktohet qytetit, pasojat sociale janë edhe më të rënda.

Ethet shpërthyese në Shkodër që mund të provokojnë

Nëse ky fenomen futet më thellë, konflikti mund të shumëzohet dhe të shpërthejë në forma edhe më të rrezikshme. Shkodra nuk duhet ta humbasë identitetin e saj historik dhe kulturor; nuk duhet të kthehet në një Tiranë të dytë apo në një Durrës të ri, pavarësisht presioneve për zhvillim.

Sot Shkodra ka fituar një frymë të re shprese falë punës së kryebashkiakut Benet Beci. Pikërisht për këtë arsye ai duhet të ndërhyjë menjëherë për ta ndalur këtë frenezi ndërtimi që rrezikon të shkatërrojë hapësirën publike, peizazhin dhe strukturën sociale të qytetit.

Frenezia e ndërtimit, e nxitur me shpërndarje lejesh të ngutshme dhe pazare të errëta, ka shkaktuar tashmë dëme në zona të tjera të vendit, siç u pa në rastin e Thethit, ku lejet e dhëna në mënyrë të diskutueshme sollën pasoja dramatike. Shkodra duhet të shmangë të njëjtat gabime.

Kulla dhe betonizimi nuk i shërbejnë Shkodrës. Ata jo vetëm do ta shëmtojnë pamjen, por do të minojnë paqen e brishtë sociale dhe do të kërcënojnë integritetin e komuniteteve. Një projekt i tillë është si një shejtan që i afrohet një qyteti të bekimit historik dhe mund ta shkatërrojë atë.

Prandaj apeli është i qartë: ndaloni këtë valë ndërtimesh të pakontrolluara. Ruajeni identitetin, hapësirat dhe vlerat e Shkodrës për banorët, për kulturën dhe për të ardhmen e qytetit./Pamfleti

ethet shpërthyese shkodra krime kulla

3 Komente

  1. S
    Shqiptar

    Ke harruar qe jemi ne kapitalizem.

    1. S
      Shqiptari

      Nuk ka të bëjë kapitalizmi me ket shumti që po bahete në qendër të shkodrese

      1. J
        Jovan Bregu

        Si kudo ka shqiptarë të mirë e të ligj. Të mirët kanë veç 1 mision: Ligësia s’duhet lejuar të ligjërojë.

        Lini një Përgjigje