
Dashnor Sula tha se përgjegjëse është politika dhe gjuha e përdorur ndaj njerëzve të drejtësisë, për situatën e krijuar dhe që solli vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor, në Gjykatën e Apelit.
Ai tha se gjyqtari njeri pozitiv dhe si jo i korruptuar, por që gjuha e urrejtjes ndaj sistemit të drejtësisë dhe konfliktet e njohura të pronave, sollën fatalitetin. Sula theksoi se njerëzit e drejtësisë duhen mbrojtur.
“Ka qenë një gjyqtar i mirë, njeri me integritet dhe një gjyqtar jo i korruptuar, fat i keq që i qëlloi atij. Astriti ishte njeri pozitiv, me humor, jap ngushëllime për familjen. Kjo tregoi se ka dështuar e gjithë shoqëria. Jetojmë në një ambient të kontaminuar dhe toksik. E pafalshme gjuha e përdorur nga politikanët për sistemin e drejtësisë. Kjo sepse të gjitha konfliktet shkojnë në dyert e drejtësisë ku zgjidhin çështjet dhe palët përplasen, ku gjyqtarët e kanë të vështirë për vendimin”, u shpreh demokrati për “News 24”.
Sula shtoi se kjo ngjarje është jo vetëm alarmante, por tregonte se sistemi kishte dështuar. Ai kujtoi edhe rastet kur politika kishte sulmuar njerëzit e drejtësisë.
“Vrasja e gjyqtarit është alarmante dhe tregon se sistemi ka dështuar. Problemi është politika. Duhet të jemi konkretë. Politika gjithmonë i ka sulmuar njerëzit e drejtësisë, çdo krah, kujtojmë Maks Haxhinë, Arben Rakipi, Theodhor Sollaku, Ina Rama. Jo vetëm janë intimiduar, por edhe dhunuar në mënyrë të dukshme”, tha Sula.
Por një nga defektet kryesore sipas ish-deputetit, për ngjarjen e ndodhur, ka qenë ligji nr. 7501 i pronave i mbi tre dekadave më parë, që krijoi një numër të madh konfliktesh.
“Edhe për çështjen konkrete, politika bën ligje, politika solli ligjin 7501 të pronave dhe u shkaktuan gjithë këto konflikte”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje