Në një farë mënyre, Elbasani po tentohet të kthehet në një vrimë e zezë e "non grata"-ve për të negociuar e bërë pazar me Edi Ramën.
Deri tani kanë dalë zëra se në Elbasan gjërat po lëvizin. Grupet kriminale në trekëndëshin më të nxehtë që përfshin Peqinin dhe Elbasanin, kanë nisur të lëvizin edhe jashtë linjës së disa viteve më parë.
Siç duket zërat po konfirmohen ditë pas dite. Grupet kriminale në Elbasan, nuk ndihen më të sigurt nëse zgjedhin njerëzit që ka përkrahur Damian Gjiknuri në qark. E kjo nuk duket se është e rastësishme. Kjo vjen si një lëvizje edhe nga brenda PS-së, kryesisht nga ish-kreu i qarkut Taulant Balla, i cili në Elbasan quhej si “intendenti”, pra personi që siguron çdo gjë që kërkojnë të fortët dhe bandat kriminale.
Prej dy vitesh, këta grupe nuk e kanë njeriun që negocion me ta, nuk e pëlqejnë, e këtë po përpiqen ta tregojnë në 14 maj. Shkurt, ata duan të largojnë Damian Gjiknurin nga Elbasani, duke i shkaktuar një humbje në qark, të paktën në dy nga bashkitë, në mënyrë që Edi Rama ta largojë, e të kthejë Taulant Ballën apo një person tjetër nga grupi parlamentar, që sindikata e krimit e konsideron “të përshtatshëm”.
Kjo përplasje po vijohet e ashpër në Elbasan për bashkinë, ku të fortët, madje edhe Suel Çela që ka mbështetur PS-në për vite e vite, po i japin mbështetje në logjistikë dhe financim Sali Berishës. Karteli i Elbasanit është një nga grupet kriminale më të rëndësishme në vend, që menaxhon shuma të konsiderueshme parash, e mbi të gjitha prona pa fund. Mjafton të përmendim të gjithë kantieret e inerteve në qark, ato kontrollohen nga këto grupe. Të cilët më shumë edhe se Shkodra, marrin gjobat e tyre “korrekte” në shumicën e bizneseve, të cilëve u “sigurojnë” mbrojtje.
Megjithatë, lufta më e fortë që po zhvillohet është Peqini, ku sindikata e krimit, ka mobilizuar të gjitha forcat që të rrëzojnë njeriun që Damian Gjiknuri e ka zgjedhur në autonomi të plotë si kandidat për kryebashkiak. Ai është Bukurosh Maçi, një person që ka qenë prej shumë vitesh kryetar i PS-së i Peqinit. Familja e tij, kanë në zotërim një restorant në hyrje të qytetit, e që kanë qenë realisht socialistët më të vjetër dhe të ndershëm në zonë. Në vitin 2013, Gjiknuri emëron Maçin si drejtor të OSHE-së, të cilin pas dy vitesh Qifja e sikterisi.
Damian Gjiknuri, vendosi për Maçin, si një personash politik të vjetër socialist, por edhe familje e madhe, që të garojë për kryebashkiak. Por siç mësohet, është ngritur një aleancë mes Suel Çelës dhe Qifes, që duan të fundosin Bukurosh Maçin, për të rrëzuar Damianin, e për t'i çuar kështu një mesazh Edi Ramës, që na e kthe Elbasanin në duart tona. Dy- tre familje me emër në Peqin, biznezmenë dhe trafikantë votash, i janë kundërvënë ashpër Maçit, madje duke marrë edhe pjesëtarë të familjes së tij. Këtu atij i kujtojnë vitin 2013, kur si drejtor i OSHE-së, prishi të gjitha lidhjet e paligjshme dhe i futi në pagesë, ata biznese që nuk kishin paguar për vite e vite energji elektrike.
“Fuqia e butë” e Qifes, e cila është realisht më e fortë se duket, ka hyrë në veprim, duke hapur fjalët se Edi Rama nuk e do kandidatin e Gjiknurit në Peqin, e gjasat janë që të ketë një përplasje të madhe. Madje, po përhap fjalë se Edi Rama nuk vjen në Peqin, për të treguar se nuk e përkrah kandidatin. E njëjta skemë pritet të zbatohet edhe në Cërrik. Zona që për 30 vjet kanë qenë “vrima të zeza” në politikë, pasi u janë dhënë grupeve apo partive të ndryshme për këmbim nga PS e PD. Megjithatë, në këtë rast, duket se gjithçka po bëhet për të forcuar Dash Sulën, deputetin që de jure nuk është me Foltoren, por që po mbështet fort të gjithë kandidatët e Sali Berishës në qarkun e Elbasanit.
Qifja, i cili është një personazh që si Berisha është shpallur 'non grata' nga SHBA, po i çon njerëzit e tij drejt kandidatit të Foltores. Natyrisht, fabula është e thjeshtë, ata nuk se duan t’i japin hapësirë Berishës, por duan të marrin një kështjellë për vete, që doktorit t’ja japin me mëditje kur e kërkon. Qifes i duhet një hapësirë për “punë” e Berishës një emër që ta sulmojë siç ndodhte me Taulantin.
Prej dy vitesh Gjiknurin nuk e ka sulmuar për Elbasanin, pasi realisht numri dy i PS-së nuk i ka dhënë asnjë shkas me grupet kriminale. Madje sot është vetë Saliu që flirton me Suel Çelën më shumë se PS, sidomos në përplasjen me Lulzim Bashën. Në një farë mënyre, Elbasani po tentohet të kthehet në një vrimë e zezë e "non grata"-ve për të negociuar e bërë pazar me Edi Ramën./Pamfleti
Lini një Përgjigje