TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Dhjetor 2024, 21:36

Sulme të koordinuara, pse Rama dhe Berisha janë trembur nga partitë e reja?

Shkruar nga Pamfleti

Sulme të koordinuara, pse Rama dhe Berisha janë trembur nga

PS-PD në sulm ndaj partive të reja: pas Braçes, Noka sulmon Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin

Dalja në skenën politike e partive të vjetra duket se ka trembur establishmentin politik 30 vjeçar. Historikisht në Shqipëri kanë vendosur PS dhe PD. Por në zgjedhjet e 11 majit 2025, situata mund të ndryshojë. Në këto zgjedhje do të garojnë një numër i madh partish të reja, të cilat drejtohen nga djem të rinj, të papërlyer më parë nga politika. E kemi fjalën për Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, Nisma Thurje e Endri Shabanit, apo Mundësia e Agron Shehajt.

Nëse shihen takimet që po zhvillojnë këto forca, bie në sy pjesëmarrja shumë e madhe  e qytetarëve. Po ashtu edhe në rrjetet sociale apo opinionin publik, ka shumë qytetarë që premtojnë t’i votojnë duke treguar mërzinë me Sali Berishën, Ilir Metën apo Edi Ramën. Vetë në një sondazh të bërë nga “Pamfleti” online pak kohë më parë, u vu re një preferencë e madhe për këto parti, teksa PD, PS dhe PL kanë prekur minimumin historik.

Kjo duket se i ka trembur si Ramën ashtu dhe Berishën, të cilët sot kanë hedhur në sulm besnikët e tyre.

Erion Braçe pati një debat shumë të ashpër me Adriatik Lapajn, duke degraduar në fyerje. Braçe e cilësoi Lapajn si “fashist i vogël i Sali Berishës”, teksa shfaqi një video të Lapajt, ku ky i fundit akuzonte Fatjon Lenën si një personazh të PS që është përfshirë në veprimtari antiligjore të votës së diasporës.

Deputeti i PS theksoi se Lena nuk është dhe nuk ka qenë zv/ministër, ndërsa akuzoi Lapajn që të “ndalojë shantazhin e kërcënimin ndaj njerëzve që nuk i kanë borxh”. "Ne nuk jemi as Salihu e as ti-fashisti i vogël i tij. Tani dëgjo e mbaje vath në vesh: Ndale shantazhin e kërcënimin ndaj njerëzve që as i njeh e as të kanë borxh, veçanërisht ndaj njerëzve të Partisë Socialiste.

Ndale, ndalu ti dhe erëkeqi yt me të cilin e me paratë e të cilit vjen rrotull ne Divjakë! Harroje ti dhe erëkeqi yt me vapor se paratë e ndyra të trafiqeve që ju rrethojnë do trembin qoftë dhe një socialist apo do blejnë qoftë dhe një qytetar apo bujk të Divjakës. Harroje", shkruante ndër të tjera Braçe.

Ndërkohë, Lapaj u përgjigj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Braçe ka dy ditë që e kërcënon personalisht sepse ai po përballet me “bandat e vjedhjes së votës”. Ai vijoi duke i bërë thirrje socialistit që të mos e kthejë në personale, duke shtuar se nuk e llogarit fare si personazh.

Për ironi, në krah të Braçes ka dalë Sekretari i PD, Flamur Noka, i cili ka sulmuar partitë e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. “Lapaj është Soros parti. Ai bashkë me Shabanin dhe veliajn kanë qenë bashkë, por Soros parti. Ata paguhen nga Rama. Janë në sqetullën e Ramës. Janë krijesa të Ramës, Edi Ramës dhe Sorosit, për të dëmtuar opozitën dhe dëmtuar. Me njerëz me probleme psikike mos u merr. Nuk i fyej. Problemet psiqike të individëve nuk i përfshi te qytetarët”, tha Noka sot në një emision.

Po ashtu, gjatë mitingut në Selanik pak javë më parë, Rama sulmoi Arlind Qorin për protestat e pensionistëve dhe gjithë partitë e reja. “Të ishte për ato forca të tjera, jo vetëm ato më fytyra të vjetra, por edhe të reja. Ato që dalin dhe ua bëjnë fushë me lule janë maska të Sudes, pas tyre është Sudja si kulturë politike. Janë njësoj si Sudja që pasi i zhyti të gjithë doli te sporteli e tha që loja mbaroi”, tha Rama.

Si duket të dyja forcat që kanë 30 vite që sjellin vërdallë shqiptarët e kanë kuptuar se këto parti mund tu prishin shumë punë. Ndoshta ato nuk mund të vijnë pushtet, por mund të marrin shumë vota dhe Rama mund ta shohë veten me më pak se 71 mandate, teksa Sali mund të prekë fundin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje