Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmit me dron që goditi një ndërtesë banimi në Galați të Rumanisë, ku mbetën të plagosur dy persona, mes tyre edhe një i mitur.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social X, ministria dënoi sulmin dhe shprehu solidaritet të plotë me popullin dhe autoritetet rumune. Gjithashtu, uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Sipas MEPJ-së, incidenti përbën një përshkallëzim të rëndë dhe të papërgjegjshëm nga Federata Ruse, duke treguar pasojat njerëzore të luftës në Ukrainë dhe rrezikun që ajo paraqet edhe për sigurinë e civilëve jashtë territorit ukrainas.
Në reagim theksohet se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të aleatëve dhe partnerëve të saj, në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta për t’i dhënë fund konfliktit, si dhe për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare.
“Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Galați, Rumani, i cili goditi një ndërtesë banimi dhe plagosi civilë, përfshirë një të mitur.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Rumanisë dhe u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.
Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t'i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetin X.
Sipas autoriteteve, droni u rrëzua në qytetin lindor të Galacit (Galați), pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa forcat ruse po kryenin sulme ajrore në territorin ukrainas.
Inspektorati i Përgjithshëm për Situatat e Emergjencës bëri të ditur se ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht pas përplasjes, duke shkaktuar një zjarr në katin e dhjetë të pallatit.
Ky është rasti i parë që qytetarë rumunë lëndohen si pasojë e drejtpërdrejtë e një droni rus që hyn në territorin e Rumanisë gjatë luftës në Ukrainë. Deri tani, Moska nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi ngjarjen si një "përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga Federata Ruse".
“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, deklaroi ministria, duke shtuar se Bukureshti ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe ka kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani.
Shërbimet e emergjencës njoftuan se dy persona morën ndihmë mjekësore për lëndime të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan nga ndërtesa derisa zjarri u vu nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë në ajër pasi dronët u identifikuan në hapësirën ajrore rumune.
“Njëri prej dronëve hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë, u ndoq nga radarët deri në pjesën jugore të qytetit Galați dhe u përplas në çatinë e një pallati, duke shkaktuar zjarr pas goditjes”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje