Brukseli kërkon forcim të luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunim më të ngushtë me agjencitë e BE-së.Rezoluta kërkon mbrojtje më të fortë për lirinë e medias, transparencë mbi pronësinë mediatike dhe hetim të sulmeve ndaj gazetarëve. Ajo evidenton dobësi në administratën publike, nevojën për depolitizim dhe meritokraci, si dhe mungesë progresi në mjedis.
Në draft raportin e PE për Shqipërinë për 2025, thuhet se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe rekomandohet që Shqipëria të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Dokumenti pranon hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave brenda 13 muajve dhe ambicien për mbylljen e tyre deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, ai e kushtëzon këtë objektiv me zbatimin konkret të reformave në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve demokratike, lirinë e medias dhe reformat socio-ekonomike.
Zgjedhjet dhe klima politike
Rezoluta vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm për zgjedhje konkurruese, por thekson shqetësime për mungesë barazie kushtesh, keqpërdorim të burimeve administrative, pretendime për blerje votash dhe presion ndaj votuesve. Dokumenti u kërkon shumicës dhe opozitës të ndjekin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias para zgjedhjeve të ardhshme.
Parlamenti Europian shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin konfrontues, që sipas tij dobësojnë mbikëqyrjen parlamentare dhe funksionimin e institucioneve. Ai kërkon forcim të kontrollit të Kuvendit mbi ekzekutivin, rritje të transparencës ligjvënëse dhe konsultim më të gjerë me shoqërinë civile.
Drejtësia dhe korrupsioni
Rezoluta përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut, por evidenton probleme në efikasitetin e gjyqësorit, stokun e çështjeve, qëndrueshmërinë e praktikës dhe rrezikun e ndikimeve të papërshtatshme.
Dokumenti kërkon forcim të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe investime në infrastrukturë dhe digjitalizim. Ai thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon rezultate të qëndrueshme në hetime dhe vendime përfundimtare, veçanërisht për korrupsionin në nivele të larta. Rezoluta nënvizon gjithashtu nevojën për luftë më efektive kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunim më të ngushtë me Europol dhe Eurojust.
Liria e medias dhe të drejtat themelore
Parlamenti Europian kërkon përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, transparencë mbi pronësinë e mediave dhe hetim të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Dokumenti inkurajon forcimin e mbrojtjes për pakicat dhe grupet e cenueshme, përfshirë komunitetet rom dhe egjiptian, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët migrantë dhe personat LGBTIQ+. Ai shpreh shqetësim për retorikën kundër barazisë gjinore dhe kërkon përmirësim të aksesit në drejtësi për grupet e margjinalizuara.
Administrata, ekonomia dhe mjedisi
Rezoluta pranon progres në reformën e administratës publike, por kërkon rekrutim mbi bazë meritore dhe depolitizim të shërbimit civil. Ajo thekson nevojën për planifikim politikash të bazuar në prova dhe transparencë në buxhetim, si dhe për forcim të mbikëqyrjes parlamentare mbi financat publike.
Në planin ekonomik, dokumenti përshëndet angazhimin në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, por evidenton dobësi strukturore si informaliteti, produktiviteti i ulët dhe mjedisi sfidues për biznesin. Ai kërkon investime në arsim, aftësi dhe inovacion, si dhe dialog social më funksional, duke shprehur keqardhje për frekuencën e ulët të mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Punës.
Në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, rezoluta vëren mungesë progresi gjatë vitit të fundit.
Politika e jashtme
Dokumenti përgëzon Shqipërinë për përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe për rolin në stabilitetin rajonal, si dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Projekt-rezoluta për vitin 2025 paraqet një panoramë të dyfishtë: progres formal në procesin e negociatave, por kërkesa të qarta për rezultate të matshme në reforma që prekin drejtpërdrejt funksionimin e shtetit dhe besimin e qytetarëve.
Projekt-rezoluta e plotë e Parlamentit Europian për Shqipërinë
1-Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj integrimit evropian, të bazuar në konsensusin e të gjitha forcave politike dhe mbështetjen dërrmuese të qytetarëve, si dhe vlerëson faktin që Shqipëria hapi të gjitha grup-kapitujt e negociatave brenda vetëm 13 muajve;
2-Përshëndet ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe progresin e shpejtë të arritur vitet e fundit; thekson nevojën për të garantuar zbatimin e plotë dhe të thelluar të legjislacionit;
3-Vëren se Komisioni e vlerëson kuadrin zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, duke ritheksuar megjithatë shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve; për këtë arsye u bën thirrje si shumicës ashtu edhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe përfshirëse një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias, shumë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore;
4-Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues politik, të cilat minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike;
5- Inkurajon forcimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, rritjen e transparencës në procedurat legjislative dhe konsultim më domethënës me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura.
Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
6-Përshëndet vijimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; megjithatë, vëren sfidat e vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e lartë të çështjeve të prapambetura, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm;
7-Bën thirrje për forcimin e mëtejshëm të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor, duke garantuar pavarësinë, transparencën dhe kapacitetin e tyre profesional, si dhe për investime të qëndrueshme në infrastrukturën e gjykatave dhe digjitalizimin e sistemit;
8-Thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta;
9-Këmbëngul se korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet, në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të krijohet një mjedis biznesi i parashikueshëm;
10-Nënvizon rëndësinë e luftës efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë rrjetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, dhe bën thirrje për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust;
Të drejtat themelore dhe liria e medias
11-Bën thirrje për përpjekje të mëtejshme në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, përfshirë rritjen e transparencës mbi konfliktet e mundshme të interesit të pronarëve të mediave, garantimin e mbrojtjes ndaj presionit politik dhe ekonomik mbi gazetarët, si dhe hetimin efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj profesionistëve të medias;
12-Inkurajon Shqipërinë të forcojë kuadrin institucional për mbrojtjen e pakicave dhe grupeve të cenueshme, përfshirë komunitetet rom dhe egjiptian, personat me aftësi të kufizuara, punëtorët migrantë dhe personat LGBTIQ+, si dhe të sigurojë zbatimin efektiv të legjislacionit kundër diskriminimit; shpreh shqetësim për retorikën kundër barazisë gjinore të pranishme në diskursin politik;
13-Nënvizon nevojën për të përmirësuar aksesin në drejtësi, veçanërisht për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara.
- Reforma e administratës publike dhe qeverisja
14-Pranon progresin e arritur në reformën e administratës publike, përfshirë planifikimin strategjik dhe koordinimin; thekson megjithatë se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë meritore dhe depolitizimin e shërbimit civil;
15-Bën thirrje për përmirësimin e planifikimit të politikave, vendimmarrjes së bazuar në prova dhe proceseve transparente buxhetore, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes parlamentare mbi financat publike;
Reformat socio-ekonomike dhe mjedisi
16-Përshëndet angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor; megjithatë, vëren se vazhdojnë të ekzistojnë dobësi strukturore, përfshirë informalitetin, rritjen e kufizuar të produktivitetit dhe një mjedis sfidues për biznesin; rithekson rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës së transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimit të lidhjeve me shtetet anëtare të BE-së;
17-Nënvizon rëndësinë e investimit në arsim, zhvillimin e aftësive dhe inovacion për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social;
18-Thekson rëndësinë kyçe të një dialogu të vërtetë social për të siguruar që përfitimet e zgjerimit të shpërndahen në segmente të ndryshme të popullsisë; shpreh keqardhje për frekuencën e ulët të mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Punës; bën thirrje për forcimin e procesit të konsultimit trepalësh, përfshirë përfaqësimin e duhur të sindikatave; thekson nevojën për të mbështetur më tej ngritjen e kapaciteteve të partnerëve socialë;
19-Vëren me shqetësim vlerësimin e Komisionit se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal
20-Përgëzon Shqipërinë për përafrimin e vazhdueshëm dhe të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë zbatimin e masave kufizuese, angazhimin e saj të vazhdueshëm në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), si dhe rolin konstruktiv në promovimin e stabilitetit rajonal;
21-Nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal si komponentë thelbësorë të procesit të zgjerimit dhe përshëndet pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në nismat rajonale;
Lini një Përgjigje