
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas e cila ndodhet në Shqipëri, kryeministri i vendit Edi Rama ka folur edhe për tarifën prej 10% të vendosur nga Donald Trump për Shqipërinë.
Rama tha se nuk ka asnjë shqetësim lidhur me këtë temë, pasi Shqipëria është komode.
"Nuk kam asnjë koment, nuk kemi asnjë shqetësim lidhur me atë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është një qasje shumë e thjeshtë dhe komode për pozicionin tonë për vetë volumin e tregtisë që kemi me SHBA", tha Rama.
Ai u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit. Rama tha se BE nuk e përcakton se cili nga aktorët politikë fiton zgjedhjet në Shqipëri, por ama PS është e vetmja forcë që mund të kryejë misionin e anëtarësimit të vendit në Union.
"BE nuk vendos se kush fiton zgjedhjet në Shqipëri. Por nuk ka forcë tjetër që e kryen dot këtë mision. Nuk është BE ajo që e përcakton. Në 11 maj, do thoni ato që do thonë edhe qytetarët", u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje