TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Nëntor 2023, 13:00

Deputetët e opozitës tentojnë të 'shpërthejnë' sallat e Kuvendit, ndërhyn Garda

Shkruar nga Pamfleti
Deputetët e opozitës tentojnë të
Përplasja me Gardën te Kryesia e Kuvendit

Pamje të pazakonta janë filmuar mesditën e sotme nga Kryesia e Kuvendit të  Shqipërisë, ku deputetët e opozitës janë më të vendosur të mos lejojnë punimet normale në Komisione.

Deputetët e opozitës, pjesa më e madhe e të cilëve të përjashtuar tashmë, nuk janë lejuar nga Garada të ngjiten në katin e dytë të Kuvendit, ku po zhvillohej dhe mbledhja e konferencës së kryetarëve për prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2024, e pezulluar më herët, për një situatë të ngjashme.

Ata nuk janë lejuar që të futen në disa ambiente të Kryesisë së Kuvendit nga Garda dhe kjo ka sjellë revoltën e deputetëve të opozitës të cilët janë futur në disa ambiente me forcë.

Të pamundur për të kaluar këtë pengesë, deputetët opozitarë, mes të cilëve Bardhi, Nika, Paloka, Salianji, Korreshi, Hoti, por edhe të tjerë kanë hyrë me dhunë në zyrën e kryetares Lindita Nikolla, ndonëse truproja e saj tentoi t’i ndalonte.

Ata kanë hedhur akuza si ndaj Gardës ashtu edhe ndaj mazhorancës se po e përdor atë, duke thënë se as nuk diktaturë nuk veprohej kështu.

Salianji akuzoi mazhorancën se po i përdo punonjësit e Gardës si punonjës personal të tyre. 

"Punonjësit e Gardës i përdorin si punonjës personal dhe ju japin urdhra", tha Salianji. 

Deputetët kërkuan llogari nga Nikolla për këtë masë ekstreme, teksa gjatë gjithë kohës debatet u zhvilluan me tone të larta.

Kujtojmë se seanca u shty për në orën 13:00 pasi më herët nuk u lejua zhvillimi i mbledhjes për shkak të bllokimit nga opozita.  Deputetët e opozitës kanë vendosur që veprimtaria parlamentare të bllokohet deri në momentin kur mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre siç janë komisionet hetimore si dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Ditën e djeshme, Sekretariati për Procedurën, Votimin dhe Etikën ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e Parlamentit deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, për shkak se penguan zhvillimin normal të seancës plenare të ditës së hënë.

 

sallat e kuvendit deputetët e opozitës

Lini një Përgjigje