Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku është parashikuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Në kryesinë e Kuvendit ndodhen edhe deputetë të opozitës që po pengojnë zhvillimin e mbledhjes siç kanë bërë me disa komisione dhe me dy seancat e fundit parlamentare.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve së sotme, do të bëhet prezantimi i projektligjit “Për buxhetin e vitit 2024” nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete.
Brenda kryesisë së Kuvendit ndodhet gjithashtu edhe Gazment Bardhi, i cili është i përjashtuar me 10 ditë.
Gazment Bardhi, i cili u përjashtua me 10 ditë nga Kuvendi një ditë më parë nga Komisioni i Etikës, u përplas sot me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

‘Pse me ke përjashtuar ti mua, për çfarë?’- i tha Bardhi Nikollës.
Ju rikujtojmë se 6 deputetë të opozitës u përjashtuan dje më 31 tetor pas skenave të dhunshme të seancës së ditës së hënë në parlament.
Mbledhja për përjashtimet u zhvillua po mes kaosit, pasi deputetët e opozitës hynë në sallë dhe prishën mikrofonat e nuk lejuan zhvillimin e saj. Berisha dhe Bardhi thanë se nuk do të njohin përjashtimet, teksa paralajmëruan se edhe të enjten nuk do të ketë seancë normale.
Përjashtohen me 10 ditë nga Kuvendi janë:
1. Gazmend Bardhi
2. Bledion Nallbati
3. Flamur Noka,
4. Edi Paloka,
5. Albana Vokshi
Përjashtohet me 3 ditë
1. Saimir Korreshi
Deputetët e opozitës kanë vendosur që veprimtaria parlamentare të bllokohet deri në momentin kur mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre siç janë komisionet hetimore si dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Lini një Përgjigje