TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Prill 2025, 14:23

Demo Berisha, kush është ish-polici nga Peja që u bë ministër i Vuçiçit

Shkruar nga Pamfleti

 

Demo Berisha, kush është ish-polici nga Peja që u bë
Demo Berisha /

Demo është tipik një shqiptar i denatyralizuar që ka kaluar në anën tjetër të urës...

Në kulmin e krizës më të rëndë, pas protestave masive në të gjithë Serbinë, Aleksandër Vuçiç, tentoi një lëvizje tipike prej aparatçiku për të ulur tensionet.

Vuçiç largoi një kryeministër politik si Millosh Vuçeviç, lideri i SNS (Partisë Progresiste Serbe), dhe emëroi kryeministër mjekun Gjuro Macut. Një teknicien në aparencë, por që prej nisjes së protestave masive, mjeku i diabetit, u katapultua nga Vuçiç në krye të një lëvizjeje “qytetare” për t’ju kundërvënë asaj opozitare që përfshiu Serbinë, sidomos pas incidentit në Novi Sad.

Macut u bë kryetari i “Lëvizjes Popullore për Mbrojtjen e Shtetit”, e që sipas gjasave do të vihet në krye të partisë së Vuçiç, i cili është lideri i vërtetë i saj. Kryetarët që vendos janë thjeshte formalë e nuk kanë fuqi as politike dhe as ekzekutive.

Njëjtë si me kryeministrin, Vuçiç peshkoi edhe një tjetër ministër “të pavarur”, i cili gjithashtu ka rastisur të jetë pjestar i “Lëvizjes Popullore për Mbrojtjen e Shtetit”.

Ai është Demo Berisha, i cili në publik e shkruan Berisa, dhe është një shqiptar i Kosovës, i lindur në Pejë, por që ka punuar e jetuar pjesën më të madhe të kohës në Serbi.

Ish- pjesëtar i policisë ushtarake në kohën e Jugosllavisë, Demo Berisha jeton në Novi Sad të Vojvodinës, ku drejton një shoqatë jo qeveritare që quhet “Amza Shqiptare” apo “albanska matica”. Një shoqatë që synon të mbledhë dhe organizojë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Vojvodinë, të mbetur atje që në kohën e ish-Jugosllavisë dhe që nuk janë pak. Flitet për rreth 10 mijë të tillë.

Berisha, edhe pse është shqiptar, nuk është përkrahës i pavarësisë së Kosovës. Gjatë aktivitetit që e ka shtrirë edhe në Preshevë, por edhe në Shqipëri, kur vjen për takime të ndryshme; ka tentuar që të jetë i kujdesshëm në qëndrimet e deklaratat e tij.

Bën përshtypje se “Amza Shqiptare” e Demo Berishës, ka pasur gjithmonë financime të majme, për të cilat është thënë se vijnë nga thesi i madh i Rusisë në Ballkan.

Prej disa vitesh, Berisha është një “analist” i akredituar i medias online të Kremlinit- “Sputnik” në gjuhën serbe, ku flet përgjithësisht për çështjet e shqiptarëve, duke kundërshtuar shtetin e Kosovës dhe sulmuar Albin Kurtin, sipas nevojave të Aleksandar Vuçiçit.

I cili kërkon ta quajë Berishën si përfaqësues të shqiptarëve luajalë të Serbisë, duke lënë jashtë të gjithë partitë politike në Luginën e Preshevës.

Demo është tipik një shqiptar i denatyralizuar që ka kaluar në anën tjetër të urës. Në Kosovë, mediat e quajnë shpesh si njeri të shërbimit sekret serb dhe ish-paramilitar i KOS-it.

Demo Berisha dhe organizata e tij që thotë se mbledh rreth 4 mijë shqiptarë të Vojvodinës bëjnë aktivitete margjinale  dhe jo një aktivizëm real. Nxjerrin ushqime në rrugë për Bajram apo festa të tjera, së bashku me drejtuesit e fesë, e takime sa për ‘sy e faqe’.

Përndryshe, aktiviteti normal i ministrit të ri “shqiptar” të Serbisë, që e reklamon edhe në rrjete sociale, është mbledhja me ish- miqtë e veteranëve të policisë ushtarake, duke shqyer kofsha derri dhe duke pirë raki e verë serbe.

Ai nuk është fare ministër shqiptar, edhe pse e njeh shqipen pak dhe e flet çalë çalë atë. Vuçiçit i shërben si një fasadë ndryshimi që ka sjellë njerëz nga “shoqëria civile”. Pavarësisht se kjo “Shoqëri civile” është e ‘hurit dhe e litarit’ dhe e ka treguar këtë me hordhitë e ish armatës jugosllave.

Në këtë sens, ky është mesazhi që kërkon t’i çojë publikut serb. Nuk doni politikanët e mi që janë të butë e të qetë? Ju vendos përballë paramilitarët e Sheshelit e Arkanit, që prej vitesh janë kthyer në analistë, biznesmenë apo edhe veprimtarë civilë.

Të paguar nga Kremlini, që i përdor si serbrator tensionesh në Ballkan. Vetë Demo Berisha është një filoputinian i hapur. Në rrjetin e tij social poston foto nga Kremlini dhe shpall hapur se “jam rus”./Pamfleti

demo berisha

Lini një Përgjigje