TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Qershor 2025, 10:09

Deklarata e Uashingtonit: Në Shqipëri nuk ka qeveri, por një regjim klientelist

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Deklarata e Uashingtonit: Në Shqipëri nuk ka qeveri, por një
Edi Rama dhe Samuel Samson /

Deklarata e Uashingtonit për presion ndaj fjalës së lirë, emigrimin masiv dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një akt akuze politik dhe moral ndaj Edi Ramës dhe sistemit të ngritur mbi 4 klane mafioze. Heshtja e SHBA-së ndaj fituesit të zgjedhjeve është zë i fuqishëm kundër bashkëqeverisjes me krimin...

Ka disa kohë që Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ka asnjë komunikim politik me Edi Ramën apo Sali Berishën. Nga Uashingtoni nuk vijnë më as buzëqeshje diplomatike, as mesazhe inkurajuese. Vijnë vetëm goditje të qarta, të shënjestruara mbi kastën politike shqiptare që ka kapur shtetin, ka privatizuar pasuritë publike dhe ka vjedhur shpresën.

Në vend të dialogut, kemi bomba që çajnë bunkerët e klientelizmit politik, të ndërthurur në mënyrë perfekte mes qeverisë dhe opozitës, mes oligarkëve dhe institucioneve të ashtuquajtura të pavarura, që u shërbejnë “peshqve të mëdhenj” me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit, te Kodra e Diellit e më tej në Europë, Dubai dhe SHBA.

Sistemi politik në Shqipëri ka prodhuar vetëm pasurim për zyrtarët dhe varfëri për qytetarët. Në 34 vjet, drejtësia nuk i është ofruar asnjëherë “kullës”, por vetëm kasolles. Kur diplomacia perëndimore dërgonte sinjale kritike, 4 klanet mafioze që sundojnë ekonominë, politikën, median dhe drejtësinë, i shndërronin ato në fishekzjarrë për spektakël mediatik.

Kontrolli absolut mbi pasuritë dhe pushtetet i ka bërë këto klane të paprekshme, por jo më të padukshme. Tani, edhe ata që heshtnin, kanë folur.

Deklarata më e fundit e Ambasadës Amerikane është një rrufe direkte mbi Sulltanin e Surrelit. Fjalët e Këshilltarit të Lartë të DASH për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Samuel Samson, janë të qarta:

“Shtypja e fjalës, lehtësimi i emigrimit masiv, shënjestrimi i shprehjes së besimit dhe minimi i zgjedhjeve kërcënojnë vetë themelet e partneritetit transatlantik.”
Shqipëria është këtu! Kjo është Shqipëria që përshkruhet:
– Presion ndaj fjalës së lirë
– Emigrim i organizuar i rinisë nga qeveria
– Zgjedhje të manipuluara me patronazhistë dhe banda
– Shtet që sulmon qytetarët dhe mbron oligarkët

Këtë deklaratë nuk e shpërndau asnjë ambasadë tjetër në rajon. Vetëm Ambasada Amerikane në Tiranë. Jo për Putinin, as për Orbánin. Për Edi Ramën dhe regjimin e tij personal të shndërruar në mallkim kombëtar.

Ndërkohë, ushtria e patronazhistëve dhe analistëve të qeverisë, po përpiqen të relativizojnë mesazhin. Disa thonë se kjo vlen edhe për Francën, edhe për Gjermaninë, edhe për zgjedhjet në BE. Por Amerika nuk ka dërguar kurrë një “notë verbale” në Berlin për Gjirin e Lalzit, as në Paris për Kodrën e Diellit. Ka folur për Shqipërinë dhe hajdutët që i kanë zënë frymën demokracisë.

Kjo nuk është thjesht një deklaratë. Është paralajmërim për ndëshkimin që po vjen. Nuk është më e koduar, as diplomatike. Është fundi i durimit amerikan ndaj një klase politike që përdor demokracinë si kulisë për të qeverisur me mafien.

Prandaj, mbylleni gojën kur thoni që “kjo s’ka të bëjë me ne”. Amerika flet për ju, zotërinj hajdutë!

samuel samson deklarata e uashingtonit regjim klientelist

Lini një Përgjigje