
Një PD pa debat të brendshëm, pa transparencë dhe liri fjale, është kthyer tashmë pa diskutim në një vegël për hallet personale të Sali Berishës.
Duke harruar rezultatin turpërues të 11 majit dhe ende pa marrë përgjegjësitë që ju takojnë, krerët e Partisë Demokratike duket se i janë kthyer “normalitetit” të vjetër, atij të parazgjedhjeve – kur çdo gjë rrotullohet rreth një emri të vetëm: Sali Berisha.
Pasditen e sotme, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka njoftoi anëtarët e Këshillit Kombëtar që të mblidhen nesër para Prokurorisë së Posaçme, pasi kryedemokrati Sali Berisha do të jetë në SPAK nesër në orën 9:30.
Ky i fundit do të paraqitet nesër në ambientet e SPAK-ut për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
“Të dashur miq. Nesër ,ditën e Hënë në ora 9:30, Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP it.,. Faleminderit”, thuhej në mesazhin e Nokës në grupin e Whatssap të Këshillit Kombëtar.

Mungesa e një analize të thellë mbi atë që ndodhi në zgjedhjet e 11 majit, mungesa e përgjegjësve për rezultatin, përtej akuzave për manipulim dhe vjedhje votash, mungesa e së paku një sqarimi ndaj demokratëve dhe thirrja e tyre për të protestuar përballë SPAK-ut sikur nuk ka ndodhur asgjë, zbulon edhe një herë arsyen e mbylljes së PD-së dhe përzënies së disa figurave kontradiktore.
Përkundrazi, thirrja e tyre për të protestuar përballë SPAK-ut sikur nuk ka ndodhur asgjë, është tregues i kthimit të PD-së në një instrument presioni kundër drejtësisë, sa herë që Berisha dhe njerëzit e tij ndihen të kërcënuar.
Një PD pa debat të brendshëm, pa transparencë dhe liri fjale, është kthyer tashmë pa diskutim në një vegël për hallet personale të Sali Berishës./Pamfleti
Lini një Përgjigje