TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Dhjetor 2025, 21:10

"Braho duhet të arrijë nivelet e Dumanit", Alibeaj: Të goditen të korruptuarit e kupolës politike

Shkruar nga Pamfleti

"Braho duhet të arrijë nivelet e Dumanit", Alibeaj: Të

Enkelejd Alibeaj ka folur lidhur me sfidat e kreut të ri të SPAK Klodian Braho. Ai ka renditur avantazhet dhe disavantazhet e Brahos në krye të SPAK, në një kohë kur sipas tij, Altin Dumani i ka ngritur në nivel të lartë hetimet, duke goditur të paprekshmit.

“Steka nga ai që e merr detyrën që është Dumani është e lartë sepse proceset hetimore këtë kohë kanë shkuar në nivele që pak vite më parë as nuk imagjinoheshin ka thyer paprekshmërinë e majave. Kupola e madhe politike e adhuruar dhe nga shoqëria shqiptare e pamësuar me një riekulibër të ri mes pushteteve është thyer tani. Ky 3 vjeçar që kaloi e mori targën e vet, ishte Dumani dhe ky është disavantazh për Brahon”, u shpreh Alibeaj për "A2 CNN".

Ai pret që kreu i ri i SPAK të krijojë identitetin e vet institucional, jo duke personalizuar pushtetin, por duke e çuar më tej luftën ndaj korrupsionit në kupolën qeveritare dhe politike.

“Do të ishte e jo e justifikueshme në sytë e mi nëse vazhdon së paku në nivelin Dumani. Do të konsiderohej jo sukses. Duhet një nivel më i lartë, do të duhet të krijojë identitetin Braho, jo për ta personalizuar pushtetin, por se çfarë ka ngelur pa u goditur nga kupola e lartë qeveritare duhet të ezaurohet.

Shpejtësia e hetimit do të duhet të marrë një tjetër impuls dhe mbi të gjitha uroj që në përfundim të këtyre tre viteve që vijnë për herë të katërt të mos e konsiderojmë më si një ngjarje të madhe kreun e ri të SPAK-ut të mandatit të katërt, të mos ketë kërshëri publike, por të jetë një gjë e zakonshëm se i gjithë mekanizmi i SPAK, BKH të jetë një gjë që të bashkëjetojë me politikën. Politika ta pranojë që SPAK është aty dhe i fortë dhe të mos luhet më me pushtetin”, tha Alibeaj.

Sipas tij, sulmet e vazhdueshme politike ndaj SPAK tregojnë se kokat e korrupsionit janë ende në mbrojtje, si në qeveri ashtu edhe në opozitë.

“Me ç’kemi parë në këto 3 vite që kemi kaluar kokat e kuçedrës së korrupsionit janë në mbrojtje si në qeveri e në opozitë. Shiko sulmet e njëpasnjëshme e sistematike”, theksoi ish-ministri i Drejtësisë.

Alibeaj tha gjithashtu se pjesëmarrja e ambasadorëve në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dëshmi se drejtësia shqiptare mbështetet fuqimisht nga ndërkombëtarët, të cilët, sipas tij, janë faktor kyç për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë në vend.

“Ajo që e ka shtyrë përpara këtë histori suksesi ishte numri i ambasadorëve të ulur sot në mbledhjen e Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nuk kemi arritur ne shqiptarët që të japim shembullin se kemi aftësi shtetformuese sot është e domosdoshme që pushteti i drejtësisë të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve”, u shpreh Alibeaj.

Lini një Përgjigje