
Ndërsa procesi i numërimit të votave preferenciale ka nisur edhe në qarkun e Tiranës, ku janë hapur 189 nga 1282 qendra votimi, vëmendja është përqendruar te lista e hapur e Partisë Socialiste, e cila deri tani ka siguruar 7 mandate përmes votës individuale.
Sipas të dhënave të deritanishme, Blendi Gonxhja, Fatmir Xhafaj, Ervin Hoxha, Ornaldo Rakipi, Erion Braçe, Antonela Dedej dhe Anila Denaj janë kandidatë të PS që aktualisht kanë fituar mandat përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Por, emri i Erion Braçes nuk është pritur vetëm me vota – në një skenë jo të zakonshme, në KZAZ nr. 5 në Tiranë (shkolla “Vasil Shanto”), një numërues i Partisë Demokratike është dëgjuar të brohorasë emrin e tij me entuziazëm:
“Braçeeee, Braçeeee!”
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin kur deputeti i PS-së, Erion Braçe, ndodhet në ambientet e numërimit dhe duket i buzëqeshur, teksa filmon me celular reagimin e pazakontë.
KZAZ nr. 5 mbulon njësinë administrative nr. 5, një ndër zonat më të mëdha dhe tradicionalisht të majta në Tiranë, e konsideruar si “hambar votash i PS-së”. Pikërisht në këtë zonë, Braçe kishte përqendruar pjesën kryesore të fushatës së tij.
Lini një Përgjigje