Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar me tone kritike në Kuvend ndaj ministrit të Bujqësisë, duke evidentuar disa nga problemet kryesore me të cilat përballen fermerët.
Ai theksoi se heqja e naftës falas për bujqësinë ka ndodhur në një moment të papërshtatshëm, kur çmimet janë të larta, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të prodhimit.
Braçe sugjeroi që mbështetja të fokusohet më shumë te prodhimi konkret, duke propozuar subvencionim për litër qumështi apo për kilogram prodhimi, në vend të skemave aktuale që, sipas tij, favorizojnë numrin e krerëve të bagëtive.
“Pse nuk favorizoni prodhimin por favorizoni kokë lope, dele dhe dhi… po jepi mo lekë për litër dhe vendos një standard të atij qumështi që prodhohet, jepi lekë për kg prodhimi, çfarëdo prodhimi të jetë.
Ajo skemë ka këtë pjesë të mirë, por pjesën tjetër ama që keni hequr naftën që ishte falas në një moment krize… unë e kam thënë që po duhet të ndryshojë skema e naftës, por jo në një moment krize, kur çmimet janë sipër dhe nuk e dimë sesi do të shkojë, sepse rrisin drejtpërdrejtë koston”, u shpreh ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me rritjen e çmimeve të plehrave kimike, të cilën e cilësoi si abuzive. Sipas Braçes, justifikimi i tregtarëve me çmimet e bursës nuk qëndron, pasi të dhënat nga Doganat tregojnë se pjesa më e madhe e plehrave është importuar para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
“E në krahun tjetër kemi plehrat kimike ministër, është abuzim shumë i madh, nga data 28 shkurt deri në 31 mars që unë kam marrë të dhënat e Doganave, kanë hyrë vetëm tre mijë tonë plehra kimikë, gjithë pjesa tjetër ka ardhur para luftës, po si mos u dyfishuan çmimet sapo plasën raketat atje.
Po mirë mo merret dikush me këtë dhe ta verifikojë? Thotë ai në Kavajë, ‘po shes me çmimin e bursës’… të kujt burse mo po shet ai? Kur mallin e ka sjellë në 2025 dhe muajt e parë të 2026? Vejini fre abuzimit, ndryshe fermerët nuk do marrin frymë”, tha Braçe.
Lini një Përgjigje